Ukraina ka ndaluar transitin e gazit rus për në shtetet e Bashkimit Evropian, pasi ka mbaruar marrëveshja pesëvjeçare mes operatorit ukrainas të gazit Naftogaz dhe Gazpormit të Rusisë, ka njoftuar “BBC”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë më herët se shteti i tij nuk do të lejojë Rusinë të fitojë miliarda me të cilat financon luftën në Ukrainë dhe i dha BE-së një vit për t’u përgatitur.
Komisioni Evropian ka thënë se shtetet e BE-së kanë mjaftueshëm kapacitet për ta përballuar fundin e transitit të gazit nëpërmjet Ukrainës.
Rusia ende mund të dërgojë gaz në Hungari, si dhe Turqi e Serbi, nëpërmjet gazsjellësit TurkStream në Detin e Zi.
Ndalimi i kalimit të gazit nëpërmjet Ukrainës përfundon një epokë të gazit të lirë rus për në BE.
Sllovakia është më e prekura, por Komisioni Evropian ka thënë se ndikimi do të jetë i kufizuar, falë planifikimeve të kujdesshme dhe furnizimeve alternative. Mirëpo, ndikimi strategjik dhe simbolik për gjithë Evropën është i madh.
Rusia ka humbur një treg të rëndësishëm, por presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se shtetet e BE-së do të vuajnë më së tepërmi.
BE-ja ka reduktuar dukshëm importin e gazit nga Rusia, që kur Rusia nisi pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Por, një numër i shteteve të BE-së që gjenden më në lindje ende varen shumë nga furnizimi me gazin rus.
Nga importet e gazit në BE në vitin 2023, 10 për qind ishin nga Rusia. Kjo shifër ishte 40 për qind në vitin 2021.
Disa shtete të BE-së, si Sllovakia e Austria, vazhdojnë të importojnë sasi të madhe të gazit nga Rusia.
Rregullatori energjetik i Austrisë ka thënë se nuk parashikon ndonjë çrregullim dhe se ka diversifikuar burimet dhe ka krijuar rezerva.
Mirëpo, vendimi i Ukrainës ka shkaktuar tensione serioze në Sllovaki, që tash është pikë kyçe e hyrjes së gazit rus në BE dhe ka marrë tarifa për transit të gazit në Austri, Hungari dhe Itali.
Të premten, kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico – që bëri një vizitë befasuese në Moskë për bisedime me Putinin – ka kërcënuar ta ndalojë furnizimin me rrymë për Ukrainën.
Kjo ka shtyrë presidentin ukrainas Zelensky që ta akuzojë Ficon se po e ndihmon Putinin “të financojë luftën dhe ta dobësojë Ukrainën”.
“Fico po e tërheq Sllovakinë në tentimet e Rusisë për të shkaktuar më tepër vuajtje për ukrainasit”, ka thënë Zelensky.