Botë

Ukraina ndal energjinë elektrike në pjesën më të madhe të vendit pas sulmeve ruse

Lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë

Foto: Associated Press

Ukraina vendosi ndaljen emergjente të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit të dielën, një ditë pasi Rusia kreu sulme në shkallë të gjerë në infrastrukturën energjetike dhe pretendoi se kishte fituar në provincën lindore Donetsk.

Mbylljet u zbatuan në të gjitha rajonet e Ukrainës, përveç në tri prej tyre, pas sulmit të së shtunës me dronë dhe raketë ndaj objektivave të energjisë, që lanë të plagosur të paktën 19 persona, raporton AP.

Operatori shtetëror i rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenergo, ka thënë se mbylljet prekën si konsumatorët industrialë ashtu edhe ata familjarë.

Sulmet e vazhdueshme ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës në javët e fundit kanë detyruar qeverinë të vendosë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin. Megjithatë, pa mbrojtje adekuate kundërajrore për të kundërshtuar sulmet dhe për të lejuar riparime, mungesat mund të përkeqësohen akoma pas rritjes së nevojave në fund të verës.

Ndër sulmet më të rëndësishme të fundit ishin një breshëri e prillit që dëmtoi termocentralin më të madh të Kievit dhe një sulm masiv më 8 maj që kishte në shënjestër objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë në disa rajone.

Rusia pretendoi të dielën se kishte marrë nën kontroll fshatin Umanske në rajonin pjesërisht të pushtuar nga Rusia, Donetsk.

Ofensiva e re e koordinuar e Rusisë është përqendruar në rajonin verilindor të Kharkivit të Ukrainës, por duket se përfshin testimin e mbrojtjeve ukrainase edhe në Donetsk më në jug.

Në Rusi, gjashtë persona u plagosën nga bombardimet në qytetin Shebekino në rajonin Belgorod në kufi me Ukrainën, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Gladkov. Ai ka thënë të dielën gjithashtu se një zyrtar lokal, nënkryetari i qarkut Korochansky, ka mbetur i vrarë nga "shpërthimi i municioneve".