Ukraina ka mohuar pretendimet se ka furnizuar me dronë rebelët që po luftojnë me ushtrinë e Malit dhe mercenarët e mbështetur nga Rusia, raporton “BBC”.
Ky reagim vjen pasi gazeta franceze “Le Monde” raportoi se dronët ukrainas po i përkrahin rebelët Tuareg “të cilët po përfitojnë nga mbështetja vendimtare e Kievit”.
Qeveria e udhëhequr nga junta i dha fund një aleance të gjatë me ish-fuqinë koloniale Francën në vitin 2022 në favor të Rusisë, në një përpjekje për ta trajtuar një kryengritje shumëvjeçare në veri të vendit.
Por, ajo nuk ka qenë në gjendje t’i shuajë trazirat dhe së fundi ka pësuar humbje të thella, së bashku me aleatët e saj rusë.
Mali dhe fqinjët e tij Nigeri e Burkina Faso, ku ushtria po ashtu është duke drejtuar, kanë akuzuar Kievin për “mbështetje të terrorizmit në Sahel”, pasi një zyrtar ukrainas kishte thënë në fillim të këtij viti se kishte ofruar mbështetje për rebelët.
Por Ministria e Jashtme e Ukrainës ka hedhur poshtë pretendimet.
“Ne fuqishëm mohojmë akuzat që janë publikuar së fundi në media ndërkombëtare për përfshirjen e supozuar të shtetit tonë në furnizimin me dronë për rebelët në Mali”, thuhet në një deklaratë.
Po ashtu mohoi pretendimet e zyrtarëve të Malit dhe të Nigerit se Ukraina po armatos, po u jep informacione dhe mbështetje “koalicionit terrorist”.
Ukraina bëri thirrje që të ndalohet “përhapja e informatave të rrejshme që përsërisin narrativat e rreme të propagandës të shtetit agresor, Rusisë”.