Ukraina ka marrë aeroplanët e parë luftarakë të prodhimit amerikan F-16, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky të dielën, shkruan BBC.
“F-16 në Ukrainë. Ia dolëm”, ka thënë presidenti Zelensky në një ceremoni në një vend sekret, të rrethuar nga aeroplanët.
Ai falënderoi Danimarkën, Holandën dhe SHBA-në në veçanti për ndihmën në dorëzimin e aeroplanëve pas 18 muajsh pritjeje - megjithëse shtoi se nevojiteshin shumë të tjerë.
F-16 do ta rrisin dukshëm aftësinë ajrore të Ukrainës në luftë, e cila kryesisht mbështetet në aeroplanët e epokës sovjetike.
Zelensky nuk specifikoi se sa aeroplanë luftarakë kishin mbërritur në Ukrainë - ose nëse të gjithë ishin dërguar nga tre vendet e NATO-s që përmendi.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në gusht të vitit 2023 autorizoi për herë të parë aleatët evropianë që u shprehën të gatshëm për të dërguar aeroplanë F-16 në Ukrainë. Që atëherë, rreth 65 aeroplanë F-16 janë zotuar nga vendet e NATO-s në Ukrainë.
F-16 u prezantua për herë të parë në vitin 1978. Shumë ushtri perëndimore janë në proces të tërheqjes së këtij aeroplani luftarakë, duke i zëvendësuar ato me F-35 të prodhuar në SHBA, të prezantuar në vitin 2015.