Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar më shumë se 100 dronë ukrainas të dielën mbi rajonet perëndimore të Rusisë, kanë bërë të ditur zyrtarët e Moskës.
Ndërkohë, 17 persona janë plagosur në qytetin ukrainas të Kryvyi Rih si pasojë e një sulmi rus me raketa balistike, raporton AP.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se 110 dronë u shkatërruan në breshërinë e natës kundër shtatë rajoneve ruse. Shumë prej tyre kishin në shënjestër rajonin kufitar të Rusisë, Kursk, ku thuhet se u rrëzuan 43 dronë.
Pamjet e mediave sociale tregojnë mbrojtjen ajrore në punë mbi qytetin e Dzerzhinsk në rajonin e Nizhny Novgorod, afër një fabrike që prodhonte eksplozivë.
Guvernatori lokal, Gleb Nikitin ka shkruar në rrjetet sociale të dielën se katër luftëtarë ishin plagosur duke zmbrapsur një sulm me dron mbi zonën industriale të Dzerzhinsk, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Sulme të tilla ajrore në shkallë të gjerë janë ende relativisht të rralla mbi Rusinë, 2 vjet e gjysmë pasi Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt 2022.
Një sulm i ngjashëm në fund të shtatorit bëri që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të raportonte për shkatërrimin e 125 dronëve në shtatë rajone.