Botë

Ukraina kërkon garanci nga SHBA-ja, Perëndimi shfaq ndasitë

Zelensky-Vance

Foto: Associated Press

“Ukraina e do paqen, por na duhet garanci reale e sigurisë”, ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas takimit me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih. E Vance, që gjatë ditës shpërfaqi ndasitë me aleatët evropianë, ka thënë se SHBA-ja do paqe të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se shteti i tij kërkon “garanci sigurie” dhe plan të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për paqen, para se të hyjë në çfarëdo lloj bisedimesh me Vladimir Putinin e Rusisë për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare.

Pas takimit të së premtes me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, Zelensky u shpreh se ky plan duhet të jetë i pranueshëm për liderët evropianë dhe presidentin amerikan Donald Trump.

Lideri ukrainas ka thënë se ai dhe Vance patën bisedë të mirë. “Ne duhet të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim një plan për ta ndaluar Putinin, që t’i japim fund luftës. Ukraina e do paqen, por na duhet garanci reale e sigurisë”, ka deklaruar Zelensky.

Në anën tjetër, Vance ka insistuar se takimi me Zelenskyn ishte frytdhënës dhe se ka gjëra të reja për t’u diskutuar në kohën e duhur.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë paqe të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, ka shtuar Vance para gazetarëve, pa dhënë detaje të tjera.

Vance nuk iu përgjigj as pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara kishin arritur një marrëveshje për mineralet me Ukrainën apo mbi afatet e mundshme të arritjes së saj.

Para takimit dypalësh, Vance mbajti fjalim të ashpër që nxiti reagime në Evropë.

“Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë përballë Evropës nuk është Rusia, as Kina, e as nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo që shqetësohem është për kërcënimin nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore”, ka thënë Vance në fjalimin e tij.

Ai madje i ka krahasuar demokracitë evropiane me sistemet autoritare të shekullit të kaluar. “Nuk mund t'i detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndjejnë apo çfarë të besojnë... Fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë”, ka thënë Vance.

Fjalimi i Vanceit nxiti shumë kundërshtime nga liderët evropianë. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cilësoi deklaratat e Vanceit si të papranueshme. “Demokracia është vendosur në pikëpyetje nga zëvendëspresidenti i Amerikës për të gjithë Evropën”, ka thënë Pistorius.  Sipas Pistoriusit, “ai (Vance) flet për shkatërrimin e demokracisë”. “Dhe nëse e kam kuptuar saktë, ai është duke krahasuar gjendjen e disa pjesëve të Evropës me ato të rajoneve autoritare...kjo nuk është e pranueshme”, ka thënë Pistorius.

Reagimit të Pistorius iu bashkëngjit edhe shefja për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila ka thënë se fjalimi i ashpër i zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, ngjante sikur SHBA-ja donte të nxiste luftë me Evropën.

“Duke e dëgjuar atë fjalim, dukej sikur po përpiqen të nxisin një luftë me ne, dhe ne nuk duam të nxisim luftë me miqtë tanë”, ka deklaruar Kallas nga Munihu. Për shefen e politikës së jashtme të BE-së, ka kërcënime më të mëdha që aleatët duhet të përqendrohen, sikurse agresioni rus në Ukrainë.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur “filozofik” fjalimin e Vance-it. Sipas tij, Vance ka theksuar nevojën për unitet në mes të SHBA-së dhe të Evropës dhe se ka aluduar në ruajtjen e vlerave të përbashkëta për liri të fjalës dhe demokraci.

“Zëvendëspresidenti dha një fjalim më shumë filozofik këtu, por e vuri në pah unitetin mes SHBA-së dhe Evropës, se ne jemi një familje dhe sigurisht që aludoi në vlerat e përbashkëta të lirisë së fjalës, demokracisë dhe të tjera... dhe këto janë vlera që na lidhin ne”, ka thënë Rutte për CNN-in.

Në mesin e liderëve që e kundërshtuan fjalimin e Vance-it ishte edhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, që ka deklaruar se nuk pajtohet me fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan. “Vetë fakti që ai ishte në gjendje të mbante fjalimin e tij edhe nëse evropianët nuk pajtohen me të, tregon se liria e fjalës po shkon mirë në Evropë. Faleminderit shumë!”, ka thënë Gahr Store.

Ai ka kritikuar ashpër Vancein për “mosadresimin e disa prej çështjeve kryesore të sigurisë me të cilat përballemi sot”, duke i përmbledhur me pak fjalë si një mundësi e humbur nga ana e zëvendëspresidentit amerikan.

Fjalimit të Vanceit i kishin paraprirë shqetësimet ndër evropianë, pasi presidenti Trump një ditë më parë u shpreh se zyrtarë amerikanë dhe rusë do të takohen në Munih e se edhe Ukraina është e ftuar. Trumpi kishte folur me Zelenskyn dhe Putinin në telefon, në biseda të ndara të mërkurën, dhe ka thënë se Putini është pajtuar që të dyja shtetet të krijojnë menjëherë ekipet e tyre negociatore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë të premten, një takim trepalësh nuk ndodhi, për shkak të mospranisë së Rusisë.

Dakordimi në mes të Trumpit dhe Putinit kishte rritur shqetësimet se Kievi zyrtar dhe Evropa do të mund të lihen jashtë procesit, në rast të krijimit të një plani mes Uashingtonit dhe Moskës.

Të premten, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për “Financial Times” shprehu qëndrimin kundër një marrëveshjeje të paqes, e cila do të çonte në kapitullim të Ukrainës. “Për mua zgjidhja nuk është një zgjidhje e pasurive të paluajtshme. Është një zgjidhje politike”, ka thënë Macroni për “Financial Times”.

E, gjatë ditës, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, foli hapur për dallimet me administratën Trump.

“Ajo që është e sigurt është se administrata e re amerikane ka një botëkuptim të ndryshëm nga i yni. Një që nuk ka parasysh rregullat e vendosura, partneritetet e vendosura dhe besimin. Ne nuk mund ta ndryshojmë atë. Duhet ta pranojmë. Dhe ne duhet të merremi me të. Por jam i bindur se nuk është në interesin e komunitetit ndërkombëtar që ky botëkuptim të bëhet paradigma e vetme dominuese. Mungesa e rregullave nuk duhet të bëhet model për një rend të ri botëror”, ka thënë Steinmeier.

Kritika kishte pasur edhe vetë Zelensky. Presidenti ukrainas disa herë përsëriti se “nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën, dhe se evropianët duhet të jenë po ashtu në tavolinë të negociatave”.

Edhe fuqitë evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kishin paralajmëruar se duhet të jenë pjesë e çdo negociate të ardhshme për fatin e Ukrainës, duke nënvizuar se vetëm një marrëveshje e drejtë me garancitë e sigurisë do të siguronte paqe të qëndrueshme.

E presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u kërkoi amerikanëve të kuptojnë se dështimi i Ukrainës nuk e dobëson vetëm Evropën, por edhe SHBA-në.

Liderët evropianë ishin të pakënaqur ndaj SHBA-së edhe më herët gjatë javës, pasi sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, përjashtoi mundësinë që Ukraina t’i bashkohet NATO-s dhe la të hapur mundësinë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e pushtuara prej Rusisë.