Botë

Ukraina godet me dronë një depo tjetër armësh në Rusi

Sulm në Rusi

Një zjarr shpërtheu në një depo armësh ruse, duke shkaktuar mbylljen e një autostrade të madhe, pasi Ukraina lëshoi gjatë natës mbi 100 dronë në Rusi, kanë bërë të ditur raportet ruse të lajmeve dhe Ministria e Mbrojtjes.

Depoja është disa kilometra larg nga një tjetër që u godit nga dronët ukrainas herët të mërkurën, duke plagosur 13 persona dhe gjithashtu duke shkaktuar një zjarr të madh, raporton AP.

Autoritetet ruse mbyllën të shtunën një pjesë prej 100 kilometrash të një autostrade dhe evakuuan pasagjerët nga një stacion hekurudhor aty pranë pasi zjarri shkaktoi një seri shpërthimesh. Postimet në kanalet lokale Telegram thanë se një depo raketash u godit pranë qytetit Toropets, në rajonin Tver të Rusisë rreth 380 kilometra në veriperëndim të Moskës dhe rreth 500 kilometra nga kufiri ukrainas.

Një depo municionesh dhe arsenal raketash në Rusinë jugperëndimore gjithashtu u përfshi nga zjarri në një sulm të veçantë të shtunën në rajonin e Krasnodarit, duke shkaktuar evakuime pasi zjarri shkaktoi një seri shpërthimesh. 

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha herët të shtunën se forcat e saj gjatë natës rrëzuan 101 dronë ukrainas mbi territorin rus. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima në asnjërin rajon rus.