Dy njerëz kanë vdekur nga një sulm raketor në qytetin ukrainas Odesa, kanë thënë zyrtarët vendorë, ndërsa Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer sulme me raketa dhe dronë.
Forcat ajrore ukrainase kanë thënë të dielën se kanë rrëzuar 10 nga 14 dronët dhe një nga tri raketat që Rusia i ka lëshuar gjatë natës. Guvernatori rajonal i Odesas, Oleh Kiper, ka deklaruar se dy personat që janë vrarë në periferi të Odesas kanë qenë një çift i martuar dhe se një person tjetër është plagosur nga sulmi.
Të paktën 41 persona janë plagosur të dielën, kur një bombë ajrore ruse ka goditur një ndërtesë banimi shumëkatëshe në Kharkiv, ka thënë kryebashkiaku Ihor Terekhov, ka raportuar AP.
Sipas tij, bomba ka goditur katin e 10-të të ndërtesës, me zjarrin që është përhapur në katër kate. Dymbëdhjetë ndërtesa të tjera u dëmtuan gjithashtu.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka rrëzuar 29 dronë ukrainas gjatë natës së të dielës mbi rajonet perëndimore dhe jugperëndimore, pa asnjë dëm të shkaktuar nga rënia e mbeturinave.
Sipas ministrisë, një dron tjetër ukrainas është rrëzuar të dielën në mëngjes mbi rajonin perëndimor të Ryazanit.