Rusia ka thënë se do të kryejë një stërvitje ushtarake që do të përfshijë edhe stërvitje për përdorim të armës taktike bërthamore, ka raportuar TheGuardian të hënën. Sipas Kremlinit, kjo stërvitje për armë bërthamore vjen pas kërcënimeve të Perëndimit për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se stërvitja është urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin, duke shtuar se do të marrin pjesë edhe formacione raketore në rrethin ushtarak jugore dhe forcat detare.
“Gjatë stërvitjes do të ndërmerren një sërë masash për të praktikuar çështjen e përdorimit të armëve bërthamore jostrategjike. Stërvitja synon të sigurojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Rusisë në përgjigje ndaj deklarimeve provokuese dhe kërcënimeve nga disa zyrtarë perëndimorë kundër Federatës Ruse, thuhet në njoftimin e Kremlinit.
E, autoritetet ukrainase e quajtën “shantazh bërthamor” paralajmërimin rus për stërvitje.
“Ne nuk shohim asgjë të re këtu, pos efektit të informacionit dhe deklaratave. Shantazhi bërthamor është një praktikë e vazhdueshme e regjimit të Putinit”, ka thënë Andriy Yusov, ministër i Mbrojtjes së Ukrainës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, pati deklaruar muaj më parë se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë për të luftuar Rusinë.
Ky deklarim ishte kundërshtuar menjëherë nga disa prej vendeve kryesore në Bashkimin Evropian.
Sipas Macronit, Evropa duhet të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën dhe të tregohet e besueshme me aftësinë për të penguar Rusinë.