Botë

Ukraina do të humbë një të tretën e territorit, thotë Fico

Robert Fico

Kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, ka thënë të mërkurën se Ukraina nuk do të ftohet për t'u anëtarësuar në NATO dhe Rusia nuk do të tërheqë trupat e saj nga gadishulli i okupuar i Krimesë ose pjesë të tjera të Ukrainës.

“Ukraina nuk do të ftohet në NATO. Do të humbasë një të tretën e territorit të saj. Aty do të ketë forca të huaja ushtarake”, ka deklaruar Fico, raporton AP.

Duke folur në Komisionin Parlamentar për Çështjet Evropiane të mërkurën, Fico e ka pranuar se Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar duke pushtuar Ukrainën, por ka fajësuar kryesisht Perëndimin për shtyrjen e Ukrainës "në një situatë të keqe".

Ai ka folur përpara udhëtimit të tij në një samit të BE-së në Bruksel.

I njohur për pikëpamjet e tij pro-ruse, Fico i ka dhënë fund ndihmës ushtarake të vendit të tij për Ukrainën dhe kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar vazhdimisht ftesën nga NATO-ja për t'ju bashkuar aleancës veriatlantike, mirëpo shtetet anëtare po hezitojnë të ndërmarrin një veprim të tillë, me frikën se mund të përfshihen në konflikt.