Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje dypalëshe për sigurinë, sipas të cilës Madridi do t’i ofrojë Kievit ndihmë ushtarake në vlerë 1 miliard euro këtë vit.
Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për media mes dy liderëve në Madrid, ku Zelensky mbërriti të hënën për bisedime me Sanchezin dhe Mbretin Felipe VI të Spanjës.
Para vizitës së tij, gazeta spanjolle El Pais raportoi se Madridi synon t’i dërgojë Ukrainës raketa për kundërajrorin Patriot dhe tanke Leopard, në kuadër të një pakoje të ndihmës ushtarake.
“Për periudhën deri në vitin 2027, Ukraina do t’i pranojë 5 miliardë euro nga Spanja përmes Fondit Evropian për Paqe”, tha Zelensky në konferencë për shtyp.
Marrëveshja dypalëshe për sigurinë është e 10-ta që Ukraina e nënshkruan me aleatët e vet perëndimorë, pas atyre me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Danimarkën, Kanadanë, Italinë, Holandën, Finlandën dhe Letoninë.
Zyra e Zelenskyt tha se është duke u punuar gjithashtu për marrëveshje dypalëshe për sigurinë me Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Rumaninë, Norvegjinë, Greqinë dhe Bashkimin Evropian.
Zelensky ishte detyruar ta shtynte vizitën në Spanjë në vende të tjerë në fillim të këtij muaji, pasi trupat ruse e nisën një ofensivë në rajonin e Kharkivit./REL