Ukraina ka zhvilluar rundin e parë të konsultimeve me SHBA-në lidhur me versionin më të ri të “marrëveshjes për mineralet”, ka deklaruar të martën ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha në një konferencë për media në Kiev.
“Besojmë se teksti i marrëveshjes, i cili parasheh praninë e bizneseve të mëdha dhe të fuqishme amerikane, është po ashtu një kontribut për infrastrukturën e sigurisë”, ka thënë Sybiha, raporton AP.
Ai ka theksuar se Ukraina është e interesuar në hartimin e një dokumenti që do të përkonte me interesat kombëtare edhe të Ukrainës edhe të SHBA-së.
Gjithashtu duke folur në konferencën për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Kestutis Budrys, ka paralajmëruar se ai "nuk ka iluzione për qëllimin e (Rusisë)", duke shtuar se "ata duan territore dhe duan të nënshtrojnë fqinjët e tyre".
“Ne e shohim mbështetjen afatgjatë për Ukrainën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO si zgjidhje që Ukraina të jetë e sigurt”, ka deklaruar Budrys.