Botë

Ukraina dhe SHBA-ja me progres substancial për marrëveshjen për mineralet, njofton Kievi

Trump-Zelenskyy

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë bërë “progres substancial” në bisedimet rreth marrëveshjes për mineralet dhe pritet të nënshkruajnë një memorandum në të ardhmen e afërt, ka deklaruar të mërkurën zëvendëskryeministrja e parë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

“Ekipet tona teknike kanë punuar pa pushim për marrëveshjen dhe ka pasur progres të jashtëzakonshëm. Stafi ynë ligjor ka rregulluar disa elemente brenda draftit të marrëveshjes”, ka shkruar Svyrydenko në rrjetin social X.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po synon një marrëveshje dypalëshe me Ukrainën për mineralet e rralla si pjesë e përpjekjes së tij për t’i dhënë fund luftës. Ai gjithashtu e sheh marrëveshjen si mënyrë, e cila sipas tij, do t’i rikthej SHBA-së miliarda dollarët e shpenzuara në ndihmë ushtarake për Kievin, transmeton Reuters.

Muajin e kaluar, administrata Trump pati propozuar një marrëveshje të re dhe më të gjerë për mineralet, e cila nuk i ofron Ukrainës asnjë garanci të sigurisë, por i kërkon asaj t'i vendosë të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në të gjithë territorin ukrainas brenda një fondi të përbashkët investimi.

Shtetet e Bashkuara kanë reduktuar ndihmën e dhënë për Ukrainën që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë në vitin 2022, nga 300 miliardë dollarë në rreth 100 miliardë dollarë, raportojnë burime të afërta me mediumin Bloomberg.