Avokati i Popullit në Ukrainë, Dmytro Lubinets, ka deklaruar të enjten se është identifikuar një tjetër rast kur forcat ruse i kanë ekzekutuar të burgosurit e luftës ukrainas, raporton BBC.
Ai ka thënë se i ka dërguar letër Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq pas publikimit të një videoje ku shfaqeshin trupat e pajetë të pesë ushtarëve ukrainas, që pretendohet se janë ekzekutuar pasi janë kapur nga forcat ruse.
Disa burime sugjerojnë se rasti ka ndodhur në rajonin rus të Kurskut.
Më 3 shkurt, Misioni Monitorues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së pati paralajmëruar se numri i ekzekutimeve mbi të burgosurit e luftës ukrainas të kapur nga forcat ushtarake ruse është rritur ndjeshëm.
Që prej gushtit të vitit 2023, misioni ka evidentuar 79 ekzekutime në 24 raste të ndara.