Me fuqinë punëtore të shteruar nga lufta dhe emigracioni, një fabrikë në Rusi po përdor punëtorë të tërhequr përmes rrjeteve sociale. Reklamat u kanë premtuar studime të përgatitjes së ushqimit, biletë avioni falas dhe aventurë në Evropë. Por disa nga gratë e reja afrikane që kanë pranuar ftesën për studim e kanë zbuluar se çfarë do të bënin në të vërtetë vetëm kur kanë arritur në rajonin e Tatarstanit të Rusisë
Reklamat e rrjeteve sociale u kanë premtuar grave të reja afrikane biletë falas të aeroplanit dhe aventurë interesante nëpër Evropë. Vetëm u duhej ta përfundonin një lojë kompjuterike dhe një test të gjuhës ruse me 100 fjalë.
Por në vend të një programi studimi e pune në fushat si mikpritja e mysafirëve dhe përgatitja e ushqimit, disa prej tyre e kanë kuptuar të vërtetën. Pasi kanë arritur në stepat e rajonit të Tatarstanit të Rusisë, ato e kanë marrë vesh se do të punonin në një fabrikë që prodhon armë lufte, për të prodhuar mijëra dronë iranianë, që do të lëshoheshin në Ukrainë.
Në intervistat me Associated Press, disa nga gratë janë ankuar për orët e gjata nën vëzhgim, për premtime të thyera sa u përket pagave e studimeve dhe për punën me kimikale që u ka shkaktuar kruajtje.
Për ta plotësuar mungesën urgjente të fuqisë punëtore në Rusi, Kremlini ka rekrutuar gra të moshave 18-22-vjeçare nga vende afrikane si Uganda, Ruanda, Kenia, Sudani Jugor, Sierra Leone dhe Nigeria, si dhe nga vendi i Azisë Jugore, Sri-Lanka. Kjo ka nisur të ndodhë edhe në vende të tjera të Azisë, si dhe në Amerikën Latine.
Kjo ka vendosur prodhimin kryesor të armëve të Moskës në duart pa eksperiencë të rreth 200 grave afrikane, të cilat po punojnë bashkë me studentët rusë të rinj, rreth 16 vjeç, në fabrikën e zonës ekonomike të Tatarstanit, Alabuga, rreth 1000 kilometra në lindje të Moskës.
“Nuk di si të montoj dronë”, ka thënë një grua afrikane, që ka lënë punën në vend dhe e ka pranuar ofertën ruse.
“Kompania merret vetëm me prodhimin e dronëve”
Gruaja e cila ka pranuar të punojë në Rusi, plot gëzim e ka dokumentuar udhëtimin e saj, duke bërë foto dhe video në aeroport.
Megjithatë, kur ka arritur në Alabuga, ajo shpejt e ka kuptuar çfarë do të bënte, dhe se kjo ishte një “grackë”.
“Kompania merret vetëm me prodhimin e dronëve. Asgjë tjetër”, ka thënë gruaja. “I rashë pishman dhe e mallkoj ditën kur fillova t’i bëj ato gjëra”.
Një gjurmë e mundshme për atë që do t’iu ndodhte aplikuesve ishte testi i gjuhës që përfshinte fjalë si “fabrikë” dhe shprehje të ndryshme industriale.
Punonjëset kanë qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm në konvikt dhe në punë, orët ishin të gjata dhe pagesa ishte më e vogël se që e prisnin.
Menaxhmenti i fabrikës me sa duket përpiqet të mos i lejojë gratë afrikane të largohen, edhe pse disa kanë raportuar se janë larguar dhe kanë gjetur punë diku tjetër në Rusi.
Një fabrikë e dronëve po zhvillohet vazhdimisht në Tatarstan
Rusia dhe Irani kanë nënshkruar një marrëveshje 1.7 miliardë dollarëshe në vitin 2022, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e ka pushtuar Ukrainën dhe Moska ka filluar përdorimin e armëve ajrore iraniane të importuara, ose UAV, në betejë atë vit.
Zona ekonomike Alabuga është krijuar në vitin 2006 për të tërhequr biznese dhe investime në Tatarstan. Është zhvilluar shpejt pas pushtimit dhe pjesë të saj janë kthyer në zona të prodhimit ushtarak, duke rinovuar ose shtuar ndërtesa të reja, sipas pamjeve satelitore.
Edhe pse disa kompani private akoma veprojnë atje, fabrika referohet si “Alabuga” në dokumentet e zbuluara, që detajojnë kontratat mes Rusisë dhe Iranit.
Dronët “Shahed-136” së pari janë dërguar të pamontuar në Rusi, por montimi është kryer në Alabuga dhe ndoshta në një fabrikë tjetër. Tani Alabuga është fabrika kryesore e Rusisë për prodhimin e dronëve, që planifikon të prodhojë 6000 në vit deri në vitin 2025, sipas dokumenteve dhe Institutit të Washingtonit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare.
Ky synim veç po arrihet, me Alabugan që ka krijuar rreth 4500 dronë, ka thënë David Albright, ish-inspektor i armëve të OKB-së, që punon në institut.
Gjetja e punonjëseve ka qenë problem për Moskën. Me papunësinë në nivelet më të ulëta rekord dhe me shumë rusë që tashmë po punojnë në industritë ushtarake, janë duke luftuar në Ukrainë ose kanë ikur jashtë vendit, zyrtarët e fabrikës kanë nisur përdorimin e studentëve profesionistë dhe fuqisë punëtore të lirë e të huaj.
Alabuga është objekti i vetëm rus i montimit që rekruton gra nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine për të krijuar armë, sipas ekspertëve dhe hulumtimit të AP-së.
Rreth 90 për qind e grave të huaja, të rekrutuara përmes programit të punës “Alabuga Start” që krijon dronë, kryesisht punojnë me pjesët “që nuk kërkojnë shumë aftësi”, ka thënë ai.
Dokumentet e zbuluara dhe të verifikuara nga Albrighti tregojnë se fuqia punëtore është rritur nga 900 në vitin 2023, në mbi 2600 në 2025. Sipas dokumenteve, gratë e huaja montojnë dhe ngjyrosin dronë dhe përdorin kimikale.
Në pjesën e parë të këtij viti, 182 gra janë rekrutuar, kryesisht nga vendet e Afrikës Qendrore dhe asaj Lindore, sipas faqes së Facebookut që promovon programin “Alabuga Start”. Gjithashtu rekruton gra nga Amerika e Jugut dhe Azia “për t’i ndihmuar ta nisin karrierën”.
Zyrtarët kanë kryer rekrutime në Ugandë dhe janë përpjekur të rekrutojnë edhe nga jetimoret, sipas mesazheve në platformën Telegram të Alabugas. Zyrtarët rusë kanë vizituar gjithashtu më shumë se 26 ambasada në Moskë, për ta nxitur programin.
Fushata nuk ka dhënë arsye se pse nuk kërkon gra apo burra të moshuar, por disa analistë sugjerojnë se zyrtarët mund të mendojnë se gratë e reja janë më të lehta për t’u kontrolluar. Një nga dokumentet e zbuluara tregon se linjat e montimit të dronëve janë të ndara dhe se përdorin një term nënçmues që iu referohet punëtoreve afrikane.
Fabrika tërheq gjithashtu punëtorë nga “Alabuga Polytechnic”, shkollë profesionale me konvikt aty pranë për rusët e moshave 16-18-vjeçare dhe aziatikët e moshës 18-22-vjeçarë, që i faturon të diplomuarit e saj si ekspertë në prodhimin e dronëve. Sipas organeve hetimore Protokol dhe Razvorot, disa janë edhe 15-vjeçarë dhe janë ankuar për kushtet e këqija të punës.

Vëzhgimi, kimikalet – dhe një sulm ukrainas
Punonjëset e huaja udhëtojnë me autobus nga vendet ku flenë për në fabrikë, duke kaluar disa pika të sigurisë, pasi të skanohet targa, sipas grave.
Ato ndajnë dhomat dhe kuzhinat, të cilat janë “nën vëzhgim tërë ditën”, sipas postimeve në rrjetet sociale. Porta kontrollon fytyrën dhe rekrutët vëzhgohen përmes kamerave të sigurisë. Kafshët shtëpiake, alkooli dhe drogat janë të ndaluara.
Të huajt marrin një kartelë lokale të telefonit kur mbërrijnë, por nuk u lejohet t’i marrin në fabrikë, meqë konsiderohet zonë ushtarake.
Një grua ka thënë se mund të fliste me një reporter vetëm pas lejes së menaxherit, një tjetër ka thënë se “mesazhet i monitoroheshin”, një e treta kanë thënë se punëtoreve u kërkohet të mos flasin me të huajt rreth punës dhe një e katërta kanë thënë se menaxherët i inkurajuan të informojnë për kolegët.
Një punonjëse e kornizës së avionit ka thënë se rekrutët mësohen se si t’i montojnë dronët dhe t’i lyejnë me një substancë djegëse.
Shumë punonjëse nuk kanë mjete mbrojtëse, ka thënë ajo, duke shtuar se kimikalet ia kanë dhënë ndjesinë e gjilpërave në fytyrë dhe “vrima të vogla” i janë shfaqur në faqe, të cilat i janë kruar.
“O Zot, kruaja veten! Nuk lodhesha duke e kruar”, ka thënë ajo. “Shumë gra po vuajnë atje”.
Eksperti i dronëve, Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka konfirmuar se substancat djegëse përdoren për prodhimin e dronëve.
Përveç rreziqeve nga kimikalet, vetë kompleksi është goditur nga një dron ukrainas në prill, duke plagosur të paktën 12 persona.
Punonjëset e “trajtuara si gomarë”
Edhe pse një grua ka thënë se i ka pëlqyer të punojë në Alabuga, sepse është paguar mirë dhe i kanë pëlqyer takimet me njerëz të rinj dhe kultura të reja, shumë të tjerë nuk ishin dakord me pagën dhe kanë thënë se jeta atje nuk ua përmbushte pritshmërinë.
Programi në fillim u ka premtuar rekrutëve 700 dollarë në muaj, por postimet e mëvonshme e kanë vendosur shumën në “mbi 500 dollarë”.
Punonjësja e kornizave të avionëve ka thënë se paratë e akomodimit, biletave, kujdesit mjekësor dhe klasave të gjuhës ruse janë marrë nga rroga e saj dhe se ka hasur në probleme sa u përket gjërave bazike, si bileta e autobusit.
Gratë afrikane janë “trajtuar si gomarë, janë skllavëruar”, ka thënë ajo, duke folur për sanksionet bankare në Rusi, që e kanë bërë të vështirë dërgimin e parave në shtëpi. Por një punonjëse tjetër e fabrikës ka thënë se ka arritur t’ua dërgonte 150 dollarë në muaj familjes.
Disa gra kanë përshkruar orare të gjata deri në 12 orë, me ditë pushimi të rastësishme. Disa prej tyre kanë punuar edhe në kuzhinë, gjë që e duronin vetëm për ta mbështetur financiarisht familjen.
Siç duket, pagat kanë ndikuar, sipas dokumenteve të fabrikës, me menaxherët që kanë kërkuar zëvendësimin e punonjëseve të huaja me staf rusishtfolës, sepse siç thuhej “kandidatet po e refuzojnë pagën e ulët”.
Studentëve rusë dhe atyre të Azisë Qendrore në “Alabuga Polytechnic” u lejohen vizitat në shtëpi, sugjerojnë postimet në mediat sociale. Mediat e pavarura ruse kanë raportuar se studentëve që duan ta lënë programin, u është thënë se duhet t’i paguajnë kostot e shkollimit.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë thënë se janë të pavetëdijshme për atë që po ndodh në fabrikë, edhe pse dukej të ishte konsistente me veprimet e tjera ruse. “Human Rights Watch” ka thënë se Rusia është duke rekrutuar vazhdimisht të huaj nga Afrika dhe India, për ta mbështetur luftën në Ukrainë, duke u premtuar punë fitimprurëse, pa e shpjeguar natyrën e punës.
Veprimet e Rusisë “mund t’i përmbushin potencialisht kriteret e trafikimit, nëse rekrutimi është mashtrues dhe qëllimi është shfrytëzimi”, ka thënë Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke vënë në dukje se Moska është palë e Konventës së OKB-së kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar.
Betty Amongi, ministrja e Gjinisë, Punës dhe Zhvillimit Shoqëror të Ugandës, ka thënë se ministria e saj ka ndarë shqetësimet me ambasadën në Moskë, për përpjekjet e rekrutimit të Alabugas, sidomos për moshën e grave, sepse “punonjëset imigrante janë kategoria më e cenueshme”.
Ministria ka thënë se dëshiron të sigurohet që gratë “nuk përfundojnë në punë shfrytëzuese” dhe se ka nevojë ta dijë se kush është përgjegjës i mirëqenies së grave ugandase, sa janë në Rusi. Faqja e Facebookut të Alabugas ka thënë se 46 gra ugandase ndodhen në kompleks, edhe pse Amongi ka thënë se nuk ka pasur asnjë.

Sa të saktë janë dronët?
E ndihmuar nga rekrutët e huaj, Rusia ka rritur shumë numrin e dronëve që mund t’i gjuajë në Ukrainë.
Gati 4000 janë lëshuar në Ukrainë nga fillimi i luftës në shkurt të 2022-s deri në 2023-n, ka thënë organizata e Albrightit. Në shtatë muajt e parë të këtij viti Rusia ka realizuar gati dy herë më shumë sulme.
Edhe pse synimi i prodhimit të fabrikës “Alabuga” është afër arritjes, ka pyetje për kualitetin e dronëve dhe nëse problemet e prodhimit për shkak të fuqisë punëtore të pakualifikuar, që po shkakton keqfunksionime. Disa ekspertë theksojnë gjithashtu ndryshimin e materialeve prej Rusisë nga dizajni origjinal iranian si shenjë të problemeve.
Një analizë nga AP-ja për rreth 2000 sulme me Shahed, të dokumentuara nga ushtria e Ukrainës që nga 29 korriku, rreth 95 për qind e dronëve nuk kanë goditur shënjestra të sakta. Në vend të kësaj, ata bien mbi lumenjtë dhe fushat ukrainase, në anëtarin e NATO-s, Latvia, ose në Rusi dhe Bjellorusi.
Para korrikut, rreth 14 për qind e Shahedëve kanë goditur shënjestrat në Ukrainë, sipas të dhënave të analizuara nga ekipi i Albrightit.
Shkalla e madhe e dështimit mund të jetë për shkak të mbrojtjes ajrore të përmirësuar të Ukrainës, megjithëse “Albrighti” ka thënë se mund të jetë gjithashtu për shkak të fuqisë punëtore me kualifikim të ulët.
Një faktor tjetër mund të jetë, sepse Rusia po përdor një variant Shahed që nuk mban një ngarkesë prej 50 kilogramësh eksploziv. Moska mund t’i lëshojë këta dronë të rremë, për ta mposhtur mbrojtjen ajrore dhe për ta detyruar Ukrainën t’i shpërdorojë municionet, duke i lejuar UAV-t tjerë t’i godasin objektivat.
Fushata e madhe në mediat sociale
Aktiviteti i rekrutimit të “Alabuga Start” mbështetet në një fushatë të fuqishme në mediat sociale me video të redaktuara mirë, me muzikë optimiste që tregon gra afrikane duke vizituar vendet kulturore të Tatarstanit ose duke luajtur sporte.
Videot i tregojnë ato duke punuar dhe duke buzëqeshur ndërsa pastrojnë dyshemetë, duke mbajtur kapele, teksa drejtojnë vinça dhe aplikojnë bojë e kimikate me pajisje mbrojtëse.
Videot në faqet e mediave sociale të “Alabugas” nuk përmendin rolin e fabrikës sa i përket prodhimit të dronëve rusë.
Faqet e mediave sociale të “Alabuga Start” janë të mbushura me komente nga afrikanë që luten për punë dhe thonë se kanë aplikuar, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
Programi është promovuar nga ministritë e arsimit në Ugandë dhe Etiopi, si dhe në mediat afrikane që e portretizojnë atë si mënyrë për të fituar para dhe për të mësuar aftësi të reja.
Fillimisht i reklamuar si program studimi e pune, “Alabuga Start” muajt e fundit është e drejtpërdrejtë për atë që u ofron të huajve, duke këmbëngulur në postimet më të reja që “NUK është program arsimor”, edhe pse njëri prej tyre tregon ende vajza të reja me uniforma shkolle.
Muajin e kaluar faqja e rrjeteve sociale “Alabuga Start” ka thënë se ishte “e emocionuar të njoftonte se audienca është rritur ndjeshëm!”
Kjo mund të jetë për shkak të punësimit të ndikuesve, përfshirë Bassien, një afrikano-jugore me pothuajse 800 mijë ndjekës në TikTok dhe Instagram.
Programi, ka thënë ajo, ishte mënyrë e lehtë për të fituar para, duke i inkurajuar ndjekësit ta ndajnë postimin e saj me miqtë që kërkojnë punë, në mënyrë që të mund ta kontaktojnë Alabugan.
“Aty ku mungojnë punëtorët”, ka thënë ajo, “aty vini ju”.