Shkaku i ndërtimit të autostradës gjigante, Mali i Zi është zhytur në borxhe të thella ndaj Kinës, totali i të cilave e kapin shifrën e një të tretës së gjithë buxhetit vjetor të Qeverisë
Një prej rrugëve më të kushtueshme në botë shtrihet përgjatë maleve të Malit të Zi, duke u ngritur mbi gryka të thella me ura të larta, para se të lëshohet në destinacion: një fushë e përbaltur jashtë një katundi me pak dhjetëra shtëpi, shumica bosh.
Mirka Axhiq, një banore e katundit Matesevo (me popullatë: rreth 15), ka thënë për gazetën amerikane “New York Times” se është e kënaqur që shumë shpejt një autostradë moderne do të kalojë përskaj shtëpisë së saj. Por, sado që e pëlqen autostradën e re të ndërtuar prej kinezëve – që supozohet të hapet në nëntor, me një kosto prej afro 1 miliard dollarësh, pas gjashtë vjetësh punë të rrezikshme, dy më shumë sesa që duhej – ajo nuk është se e kupton mirë atë.
Në telashe për ta mbështetur familjen e saj me pagën e ulët të burrit të saj shofer të kompanisë ndërtimore kineze që punon në këtë rrugë, ajo shprehet e hutuar se vendi i saj, një prej më të varfërve në Evropë, ka ndarë kaq shumë para për një projekt gjigant inxhinierie, ka shkruar gazeta.
Mali i Zi është zhytur në borxhe të thella ndaj Kinës, totali i të cilave e kapin shifrën e një të tretës së gjithë buxhetit vjetor të Qeverisë.
Në këtë huti, Axhiqi nuk është e vetme.
Nga Kina, për Kinën, në Kinë
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i cili e mori detyrën vitin e shkuar nga qeveria që i nënshkroi kontratat për ndërtim dhe hua me Kinën në vitin 2014, e përshkruan autostradën si një “projekt megaloman” që “shpie nga askundi në askund” dhe që i thellon rëndë financat e vendit.
Por projekti, sipas gazetës amerikane, ka zhytur edhe Kinën në telashet e ndërlikuara gjeopolitike të Ballkanit.
Mali i Zi, i cili e zemëroi Rusinë mike të Kinës duke u anëtarësuar në NATO më 2017, është duke u përpjekur për ta bërë balancën midis borxheve të majme ndaj Kinës dhe ambicieve për t’u rreshtuar më afër Perëndimit.
“E lartësuar nga Kina si një triumf i hershëm i Iniciativës së saj Rrip dhe Rrugë, iniciativë kjo e shpallur më 2013 nga lideri, Xi Jinping, autostrada e Malit të Zi ka shkrirë ambiciet madhore të Kinës me ato të ish-kryeministrit Milo Gjukanoviq kur punimet e rrugës nisën”, ka shkruar NYT. Por, meqë partia e Gjukanoviqit tanimë nuk është në krye të vendit, autostrada u shndërrua në ciflën ndezëse të akuzave për shpenzime të kota dhe korrupsion.

“Nuk kam dëshmi ende, por krejt kjo aludon në korrupsion”, ka thënë Krivokapiq, në një intervistë telefonike për “New York Timesin” nga Podgorica.
Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministri përgjegjës për siguri, ka thënë për gazetën amerikane se “nuk ka gjë kundër Kinës”, e cila “vetëm do që të jetë e pranishme në rajon”. Por ai e vë në pikëpyetje mençurinë e marrjes së një huaje masive nga Kina për ta angazhuar një kompani kineze që importon punëtorë kinezë dhe mandej “i kthen paratë prapa në Kinë” – një praktikë kjo tipike për kompanitë ndërtimore kineze që veprojnë jashtë.
“E bënë një marrëveshje të pabesueshme për interesa të Kinës. Nga ana jonë, është katastrofë”, ka thënë Abazoviq, i cili, rikujton gazeta, në mars e vizitoi Brukselin për të kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për rifinancimin e borxhit kinez.
Marrëveshja e huas e 2014-s arritur me “Exim Bank” të Kinës, një huadhënës shtetëror, ishte bërë publik dhe zbulonte se Kina mund të konfiskojë prona në rast të mospërmbushjes së kushteve, siç kishte ndodhur me Sri-Lankën, së cilës i ishte konfiskuar porti kryesor pasi që vendi ngeci prapa në kthimin e huas kineze. Mirëpo, pothuajse të gjitha dokumentet e tjera të ndërlidhura me autostradën malazeze ishin klasifikuar si sekrete.
“Kur Gjukanoviqi e hodhi idenë, disa kompani të huaja, përfshirë Bechtelin, një gjigant ky amerikan i inxhinierisë dhe ndërtimit, shprehën interesim. Bechteli propozoi një projekt më modest dhe jo aq të kushtueshëm, por humbi kundruall propozimeve larg më ekspansive dhe të kushtueshme nga korporata kineze ‘Rrip dhe Rrugë’”, ka shkruar “New York Times”.
“Marrëveshje e tmerrshme”
Robert Gelbard, i dërguari për Ballkan i administratës së presidentit Bill Clinton, kujton për NYT-në ta ketë këshilluar Gjukanoviqin se nuk do të duhej ta angazhonte kompaninë kineze, duke i thënë se Polonia kohë më parë e kishte anuluar kontratën e saj për ndërtim autostrade me një tjetër kompani kineze dhe se ka ngritur padi kundër saj për punime të dobëta.
Asokohe Gjukanoviqi kishte thënë se kompania kineze ishte zgjedhur thjeshta ngase e ofroi “çmimin më të mirë”.
Financimi, megjithëkëtë, i shkaktoi kokëdhembje të shumta Malit të Zi. Huaja e ofruar nga “Eximbank” për financimin e projektit ishte ofruar me dollarë, gjë kjo që e shtrëngoi Malin e Zi që e përdor euron të cenueshme karshi lëvizjeve në tregun e këmbimeve.
“Ishte marrëveshje e tmerrshme, padyshim”, ka thënë Milojko Spajiq, ministër i ri i Financave, duke folur për “New York Times”.
Ai së fundi e negocioi të ashtuquajturën marrëveshje shkëmbimi me bankat evropiane dhe amerikane që e konverton borxhin kinez me dollarë në euro, me një normë interesi prej 0.87 për qind.
Mali i Zi e realizoi pagesën e pjesës së parë të borxhit muajin e shkuar dhe Spajiq bëri të ditur se vendi nuk do të shkojë në falimentim.
Mirëpo, këtu nuk përfundojnë të gjitha telashet.
Një studim i mëhershëm i fizibilitetit, i kryer më 2007 nga Louis Berge, një kompani inxhinierie në Paris, ka paralajmëruar se trafiku përgjatë autostradës së propozuar nuk do të jetë “mjaftueshëm i dendur për ta justifikuar investimin”.
Gazeta amerikane ka shkruar se afro 280 milionë dollarë, më shumë se gjysma e totalit të shumës së parave të paguara për nënkontraktuesit lokalë, i kanë shkuar një kompanie të vetme malaziase “Bemax”.
Deputeti Nebojsha Medojeviq ka pretenduar se “Bemaxi” në fakt ishte në pronësi të një këshilltari të afërt të Gjukanoviqit, Milan Roçen, ish-ambasador i vendit në Moskë.
Gjukanoviqi e mohon një gjë të tillë, duke pretenduar se “natyrisht” e ka pyetur këshilltarin e tij dhe se ai e kishte siguruar që pretendimet janë të rreme. Vetë Roçen i ka hedhur kategorikisht poshtë pretendimet për pronësi të “Bemaxit”, ka shkruar gazeta.
“Jemi tallur për këtë punë”, ka thënë Gjukanoviqi. “Është thjesht spekulim i kundërshtarëve politikë”.
Akuzat për korrupsion, ka shtuar ai, “nuk kanë fare të bëjnë me realitetin, në rastin tim”.
Qeveria e re ka bërë të ditur se do të dëshironte që ta përfundojë ndërtimin e gjithë gjatësisë së autostradës, duke e parapëlqyer financimin nga Evropa në vend të Kinës. Është zotuar madje që të mos e lërë të ngujuar në një pyll të boshatisur.
Përderisa shtrirja e rrugës tanimë pothuajse ka përfunduar, shumë nga punëtorët kinezë janë larguar. Ata që kanë mbetur, duken skeptikë se e gjithë autostrada ndonjëherë do të përfundojë.
“Mali i Zi është tepër i varfër. Nuk kanë mjaftueshëm para për ta vazhduar”, është tallur Shen Wei, një punëtor nga krahina kineze ‘Henan’, teksa qëndronte para një kampi ndërtimor pothuajse të boshatisur. “Thjesht dua që të shkoj në shtëpi”, ka thënë ai për “New York Times”.
Përgatiti: Nita Lleshi