Botë

Udhëtimi 11-ditor i fotoreporterit për t’u larguar nga Sudani

Gazetari

Fotogazetari sudanez Mohamed Zakaria Foto: BBC

Fotoreporteri sudanez, Mohamed Zakaria, ka qenë duke dokumentuar luftën për BBC-në në kryeqytetin El-Fasher të Sudanit. Si shkas i bombardimeve, familja e tij ishte zhvendosur në Çad. Mohamedi kishte vendosur të qëndronte në Sudan për ta vazhduar punën, në mënyrë që ta mbështeste financiarisht familjen. Shpejt gjendja në qytet ishte përkeqësuar, në mes të bombardimeve dhe mungesës së ushqimit, dhe Mohamedi ishte detyruar të largohej për në Ugandë, për t’iu shmangur rrezikut. Gjatë udhëtimit ai kishte hasur në probleme, të cilat i ka rrëfyer për BBC-në

Në mbrëmjen e arratisjes së tij nga mëmëdheu muajin e kaluar, fotoreporteri sudanez, Mohamed Zakaria, kishte lënë pajisjet e kamerën e tij te një shok, i pasigurt nëse do t’i shihte përsëri.

Ai është larguar nga El-Fasheri, kryeqytet i shtetit Darfuri Verior, që është në kulmin e luftës mes ushtrisë sudaneze dhe milicisë së Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Mohamedi ka qenë duke punuar për BBC-në, në terrenin e luftës civile 15-mujore të Sudanit. Por me situatën që po bëhej akoma më e rëndë, ai kishte vendosur se kishte ardhur koha të arratisej nga aty.

RSF-ja ka përshkallëzuar një bastisje të El-Fasherit në maj, duke e shënjestruar pikën e fundit të ushtrisë në Darfur.

Pak pasi shtëpia e Mohamedit është goditur nga një predhë, ka goditur një tjetër teksa ai po përpiqej ta dërgonte fqinjin e plagosur në spital. Pesë njerëz janë vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur – Mohamedi ka akoma copa të predhës në trupin e tij, ndërsa vëllai i tij e ka humbur njërin sy.

Dy javë më vonë Mohamedi kishte parë largimin e sigurt të nënës dhe tre vëllezërve për në Çad, vend fqinj në perëndim. Sipas Mohamedit, ai kishte qëndruar në Sudan për ta vazhduar punën, në mënyrë që t’i mbështeste financiarisht.

Por ndërsa luftëtarët e RSF-së kanë vazhduar avancimin, civilët janë bllokuar në zonën e luftës mes bombardimeve dhe sulmeve ajrore të ushtrisë, ku edhe furnizimet ushqimore kanë qenë të ndërprera.

“Nuk mund të lëvizja, nuk mund të punoja”, thotë ai. “E vetmja gjë që mund të bësh në El-Fasher është të qëndrosh në shtëpi dhe ta presësh vdekjen... Disa banorëve u është dashur të gërmonin llogore në shtëpi”.

Udhëtarët duke pirë ujë shiu pasi u bllokuan në pyll Foto: BBC

Ka qenë e rrezikshme të qëndrosh, por gjithashtu e rrezikshme të largohesh nga kryeqyteti. Në fund, Mohamedi kishte vendosur të nisej drejt Sudanit Jugor, për të arritur në Ugandë.

Ai kishte menduar se ky rrugëtim do të ishte më i sigurt për të, sesa të përpiqej të bashkohej me familjen në Çad dhe do ta lejonte atë të punonte sapo ta arrinte destinacionin.

Nga El-Fasheri për në Sudanin Jugor, Mohamedi ka kaluar nëpër 22 pika kontrolli, pesë të drejtuara nga ushtria dhe 17 nga RSF-ja.

Ai është kontrolluar dhe ndonjëherë është marrë në pyetje, por kishte arritur ta mbronte identitetin si fotoreporter që po e dokumentonte luftën. Përveç në një rast.

Fshehja e pajisjeve

Ndalesa e parë, më 10 qershor, ka qenë në kampin e refugjatëve “Zamzam” në periferi të El-Fasherit.

Mohamedi dhe miku i udhëtimit, kushëriri i tij Muzamil, kanë kaluar natën me një mik. Këtu ka fshehur kamerën e tij dhe mjetet e tjera të punës.

Por ai ka marrë me vete një koleksion të vlefshëm të fotografive dhe videove – të vendosura në një kartelë memorieje dhe në dy hard disqe – si dhe laptopin dhe telefonin.

“Problemi më i madh me të cilin jam përballur në rrugë ka qenë si t’i fshihja”, thotë ai. “Sepse janë gjëra të rrezikshme. Nëse RSF-ja ose ndonjë ushtar i sheh, nuk mund të shpjegohesh”.

Për pjesën e parë të madhe të udhëtimit, Mohamed i kishte vendosur ato në një vrimë nën pedalet e këmbës së kamionit, pa i treguar shoferit.

Ai dhe Muzamili ishin mbajtur në një pikë kontrolli nga ushtarët sudanezë, nën dyshimet se janë nisur drejt territorit të RSF-së për t’iu bashkuar armikut. Përndryshe, ata kanë arritur në Dar es Salaam, qyteti që ka shënuar fundin e kontrollit të ushtrisë, pa incidente.

Udhëtarët duke larguar kamionçinën nga lloçi Foto: BBC

Ata u janë bashkuar udhëtarëve të tjerë – autokolonë prej gjashtë automjeteve për në fshatin Khazan Jadid.

“Ne i paguam ushtarët e RSF-së për të udhëtuar me ne”, thotë Mohamedi. “Nëse do të arrish i sigurt duhet ta paguash RSF-në”.

Shoferët ua kanë marrë paratë pasagjerëve dhe ua kanë dhënë pikës së parë të kontrollit, ku pastaj një nga luftëtarët e RSF-së është futur në secilin automjet.

Në këtë pikë Mohammedi e kishte fshehur kartelën e memories në një copë flete në mes të dokumenteve të tjera.

Në stacionin e autobusit në Khazan Jadid, Mohamedi kishte gjetur vetëm tri automjete.

“Rruga ishte shumë e rrezikshme”, thotë ai, “dhe të gjitha veturat e kishin ndaluar udhëtimin”.

Por ai kishte arritur të shkonte në qytetin Al-Daein, kryeqytet i Darfurit Lindor, në paraditen e 12 qershorit.

Në pikën e kontrollit në mes të qytetit, ata që po vinin nga El-Fashri ishin vendosur në një anë, thotë Mohamedi, nën dyshimet se kanë punuar me ushtrinë.

Këtu ai ishte përballur me probleme.

Ai i kishte fshirë të gjitha mesazhet, fotografitë dhe aplikacionet nga telefoni i tij.

Por oficeri i RSF-së e kishte gjetur një llogari të Facebookut që ai kishte harruar ta fshinte, e mbushur me postime që kishte ndarë nga bombardimet në El-Fasher dhe vuajtjet e civilëve.

Aty ishte marrë gjatë në pyetje, ku Mohamedi ishte ndarë nga Muzamili dhe ishte akuzuar se është spiun.

“Jam kërcënuar me torturë dhe vdekje nëse nuk u tregoja informacionin që kisha”, thotë ai. “Jam ndier i humbur. Isha në situatë shumë të keqe. Nëse donte të të vriste, ai do ta bënte dhe askush nuk do ta merrte vesh. Mund të të vrasë, të të rrahë, ai mund të të bëjë ç’të dojë”.

Mohamedi ishte liruar në fund në orën 19:00, pasi kishte negociuar për ta paguar një shumë të madhe të pareve.

“Ka qenë momenti më i keq”, thotë ai, duke reflektuar eksperiencën, “jo vetëm në udhëtim, por ndoshta më i keqi në jetën time.. sepse nuk kisha shpresa. Nuk mund ta besoj se jam këtu”.

Mohamedi ka dyshuar se marrësi në pyetje do ta lajmëronte një tjetër pikë kontrolli për ta arrestuar atë përsëri.

Ai dhe Muzamili kanë nxituar për në stacion për t’u larguar nga qyteti sa më shpejt që ishte e mundur. Atje kishte qenë vetëm një automjet, një kamionetë e mbushur me njerëz, por ata kishin arritur të futeshin brenda një hapësire të vogël në pjesën e mbuluar të automjetit.

Zakaria me bashkudhëtarë pasi kanë kaluar kufirin në Sudanin Jugor Foto: BBC

“Ishte sprovë e vështirë”

Ata kishin arritur në fshatin e Abu Matariqit, ku motori iu ishte prishur dhe iu ishin dashur dy ditë për ta rregulluar.

Pasi i kishte mbijetuar arrestimit, Mohamedi ishte në ankth për të shkuar në Sudanin Jugor sa më shpejt që ishte e mundur. Në vend të kësaj, ai ishte përballur me një vonesë të gjatë.

Udhëtarët në fund janë larguar nga Abu Matariq më 14 qershor për në El-Raqabat, qyteti i fundit i Darfurit Lindor para kufirit. Rruga i ka çuar përmes pyllit El-Deim, i mbushur me dru të llojit acacia.

Shirat e rrëmbyeshëm ua kishin ngadalësuar dhe ndalur progresin, meqë kamioneta ishte bllokuar në lloç.

“Ishte sprovë e rëndë”, thotë Mohamedi. “Kemi kaluar gati gjashtë ditë pa ujë të pijshëm dhe ushqim. Jemi varur nga uji i shiut dhe hurmat”.

Për fat të mirë, ata kanë qenë në gjendje të blinin dy dele nga barinjtë kalimtarë.

Gjatë udhëtimit, thotë Mohamedi, nuk kishte pasur problem të gjente ushqim. Zonat e kontrolluara nga RSF-ja nëpër të cilat kanë kaluar janë prekur nga beteja në fillimet e luftës, por janë stabilizuar disi nga atëherë.

Tregjet dhe restorantet e vogla kanë qenë duke punuar. Ushqimi ka qenë i shtrenjtë, por jo “shumë i shtrenjtë” si në El-Fasher, ku shumë njerëz janë detyruar ta hanë vetëm një racion tërë ditën.

Në pyll, burrat kanë fjetur jashtë, ndonjëherë në shi, ndërsa dy gra dhe dy fëmijë kanë qëndruar brenda automjetit. Atyre u është dashur të heqin thera nga këmbët e tyre, pasi kanë ecur pa këpucë në lloç.

Në fund ata e kishin shtyrë kamionin mbi tokë të fortë. Por motori kishte punuar vetëm ndonjëherë për shkak të baterisë së dobët. Dhe në fund i kishte përfunduar karburanti.

Në këtë pikë, dy nga burrat ishin nisur për në fshatin më të afërt. Ishte rrugëtim nëntorësh në këmbë. Të gjithë ishin lehtësuar kur ata ishin kthyer në fund të ditës, me karburant shtesë dhe një automjet tjetër.

Kur kanë arritur në Al-Raqabat, Mohamedi dhe Muzamili kanë qenë vetëm 15 minuta larg me makinë nga Sudani Jugor dhe siguria.

Por mëngjesin tjetër, para se udhëtarët të niseshin, ata ishin marrë dhe ishin dërguar në zyrën kryesore të RSF-së dhe ishin marrë në pyetje për tri orë.

Dikush kishte raportuar se anëtarët e grupit etnik Zaghawa ishin futur në qytet. Kjo kishte përfshirë Mohamedin, si dhe familjen që e ndante makinën me të.

Zaghawa janë të përfshirë në grupet e armatosura që luftojnë në krah të ushtrisë në El-Fasher dhe RSF-ja i sheh ata si armiq.

Mohamedi i kishte fshehur kartelat e memories, hard disqet dhe laptopin te njëra nga gratë dhe i kishte thënë oficerit të RSF-së se ai ishte inxhinier kompjuteri.

Përsëri u ishte dashur të paguanin: 30 mijë funte sudaneze (rreth 50 dollarë) nga secili. Mohamedi dhe disa nga anëtarët e grupit kishin paguar para shtesë për ta liruar një burrë tjetër, që ishte gjetur me një foto të një ushtari në telefonin e tij.

Pastaj Mohamedi dhe Muzamili kishin hipur në një automjet dhe ishin nisur drejt kufirit.

Kalimi i kufirit për në Sudanin Jugor më 20 qershor kishte qenë moment “i pabesueshëm” për Mohamedin.

“Kur i pashë burrat e Sudanit Jugor, falënderova Zotin dhe u luta”, thotë ai. “U ndjeva i gjallë. Nuk arrija ta besoja se jam gjallë, se jam akoma këtu. Arrita në Sudanin Jugor me të gjitha të dhënat e mia dhe laptopin, edhe pse kam hasur në shumë anëtarë të RSF-së”.

Ai e kishte thirrur nënën e tij në momentin që kishte arritur të blinte një kartelë telefoni. “Nuk kishte arritur të besonte se isha gjallë”, thotë ai.

Mohamedi ka qenë pa internet për 11 ditë dhe familja e tij nuk ia kishte idenë për vendndodhjen e tij ose çfarë po i ndodhte gjatë asaj kohe.

“Ata ishin shumë të shqetësuar”, thotë ai. “Shumica prej tyre më kanë thënë të mos e provoja këtë rrugë, të mos shkoja, se nuk mund t’ia dilja”.

Por ai ia ka dalë.

Ai ka ndaluar në qytetin Aweil të Sudanit Jugor për disa ditë, ku familja Zaghawa me të cilën ka udhëtuar, e ka mirëpritur në shtëpinë e saj.

Pastaj është zhvendosur në kryeqytetin, Juba. Muzamili kishte vendosur të qëndronte atje, por Mohamedi kishte udhëtuar për në Ugandë dhe ishte regjistruar si refugjat në një kamp afër kufirit, meqë pasaporta i kishte skaduar.

Tridhjetë e tri ditë pas largimit nga El-Fasheri, Mohamedi kishte arritur në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, më 3 korrik. Ai është duke qëndruar me xhaxhanë e tij.

“Sinqerisht, nuk e kam idenë se ku do të më çoj jeta nga kjo pikë”, thotë ai.

Prioriteti i tij kryesor është të kujdeset për familjen e tij dhe të përpiqet të ribashkohet me ta. Përveç nënës dhe tre vëllezërve në Çad, ai ka një vëlla në Turqi dhe një motër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ëndrra e tij për të ardhmen është të rikthehet në Sudan në kohë më paqësore dhe ta hapë një universitet në Darfur për të mësuar bërjen e filmave, fotografinë dhe studime të mediave.

“Puna ime nuk ka përfunduar pas largimit nga El-Fasheri”, thotë ai. “Besoj se ka qenë vetëm fillimi dhe tani kam nisur fazën e dytë të punës për ta shpalosur të vërtetën e situatës atje”.

“Shpresoj se përpjekja ime, sado e vogël, të ndihmoj në shkurtimin e kohëzgjatjes së luftës dhe t’i shpëtoj njerëzit në El-Fasher”, shton ai.