Botë

Udhëheqësit sirianë po e trajnojnë forcën e re policore bazuar në sheriat

Abu Mohammed al-Golani, Ahmed al-Sharaa

Foto: Associated Press

Autoritetet e reja të Sirisë po përdorin mësimet islame për ta trajnuar një forcë të re policore, një lëvizje që oficerët thonë se synon ta rrënjosë një ndjenjë morali teksa përpiqen të mbushin një vakuum sigurie pas shpërbërjes së forcave famëkeqe dhe brutale të sigurisë të ish-presidentit Bashar Al-Assad. 

Policia që sollën në Damask nga ish-enklava e tyre rebele në rajonin veriperëndimor të Idlibit po i pyet aplikantët për besimet e tyre dhe po fokusohen në ligjin islamik të sheriatit në trajnimin e shkurtër që u ofrojnë rekrutëve, sipas pesë oficerëve të lartë dhe formularëve të aplikimit të para nga agjencia Reuters.

Sigurimi i stabilitetit dhe fitimi i besimit të njerëzve anembanë Sirisë do të jenë vendimtare për myslimanët sunitë që të forcojnë sundimin e tyre. Por masa për të vendosur fenë në qendër të policisë rrezikon të mbjellë përçarje të reja në një vend pas 13 vjetësh të luftës civile.

"Ka shumë sirianë që do ta shohin këtë si shqetësuese”, ka thënë Aron Lund, një bashkëpunëtor në Century International, një institut i fokusuar në Lindjen e Mesme, kur u pyet për gjetjet e Reuters. 

Bazat fetare të trajnimit të policisë po i bëjnë gjithashtu qeveritë perëndimore të pyesin se sa i madh mund të jetë roli i islamit në Kushtetutën e Sirisë, të cilën ish-fraksioni rebel tani në pushtet planifikon ta rishikojë, ka thënë një diplomat, në kushte anonimiteti

"Kjo nuk është një shenjë e mirë, por gjithashtu varet se sa rreptësisht do të zbatohet”, ka thënë diplomati për Reuters.

Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, është përpjekur t'i garantojë zyrtarët perëndimorë dhe qeveritë e Lindjes së Mesme, të shqetësuara për lëvizjet e tyre islamike, se fraksioni i tij ka hequr dorë nga lidhjet e mëparshme me Al-Qaedan dhe do të sundojë në mënyrë moderne, duke përfshirë mbrojtjen e pakicave.