Reagime të shumta kanë ardhur nga udhëheqës botërorë për vdekjen e ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter, i cili shërbeu si presidenti i 39-të i SHBA-së nga viti 1977 deri në 1981.
Në një postim në X, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se "bota ka humbur një ndërmjetës të madh për paqen në Lindjen e Mesme dhe për të drejtat e njeriut".
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se Carter ishte "i motivuar nga besimi dhe vlerat e tij të forta" dhe se ai "ripërcaktoi post-presidencën me një përkushtim të jashtëzakonshëm për drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur se udhëheqja e Carter "kontribuoi ndjeshëm në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe angazhimi i tij për paqen vazhdoi pasi ai la detyrën”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e përshkruan Carter si një "avokat të palëkundur për të drejtat e më të cenuarve", duke shtuar se ai "ka luftuar pa u lodhur për paqen".
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Carter është "një lider që shërbeu gjatë një kohe kur Ukraina nuk ishte ende e pavarur, por zemra e tij qëndroi fort me ne në luftën tonë të vazhdueshme për liri".
Jimmy Carter ka vdekur të dielën në moshën 100-vjeçare.
Politikani demokrat ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 1977-a deri në 1981-n, në një periudhë kur SHBA-ja përballej me kriza ekonomike dhe diplomatike
Ai është laureat edhe i çmimit Nobel për Paqen. Carter ishte presidenti i 39-të i SHBA-së.
Funerali zyrtar shtetëror në Washington DC për ish-presidentin është caktuar të mbahet më 9 janar, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë. Ajo ditë do të jetë edhe ditë zie kombëtare.