Udhëheqësit nga e gjithë bota kanë dënuar sulmin në mitingun e Donald Trumpit në Pensilvani, kanë denoncuar dhunën politike dhe i kanë uruar ish-presidentit shërim të shpejtë.
Trumpi ka bërë të ditur në rrjetet sociale se ishte qëlluar në pjesën e sipërme të veshit të djathtë dhe se kishte “shumë gjakderdhje”. Zyrtarë të fushatës së tij kanë thënë se ai "po bënte mirë" derisa tashmë është liruar nga spitali, raporton The Guardian.
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres dënoi sulmin dhe e quajti atë një "akt të dhunës politike".
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e dënoi po ashtu sulmin.
"Edhe një herë, ne jemi dëshmitarë të akteve të papranueshme të dhunës kundër përfaqësuesve politikë”, ka thënë kryediplomati i bllokut.
Kryeministri britanik, Kier Starmer ka thënë se ishte "i tmerruar nga skenat tronditëse" në tubim.
“Dhuna politike në çfarëdo forme nuk ka vend në shoqëritë tona dhe mendimet e mia janë me të gjitha viktimat e këtij sulmi”, është shprehur ai.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida ka reaguar duke thënë se “Ne duhet të qëndrojmë të vendosur kundër çdo forme dhune që sfidon demokracinë”.
Kryeministri australian, Anthony Albanese ka deklaruar se sulmi ishte "shqetësues dhe konfrontues", ndërsa kryeministri kanadez, Justin Trudeau reagoi gjithashtu duke thënë se kjo ishte një çmenduri.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmi e ka shokuar.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili takoi Trumpin këtë javë gjatë vizitës në SHBA për një samit të
NATO-s, ka thënë se lutjet e tij ishin me ish-presidentin "në këto orë të errëta".
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka thënë se ajo "po ndiqte me frikë" përditësimet nga Pensilvania dhe i uroi Trump një shërim të shpejtë. Ajo shprehu shpresën e saj se “në muajt në vijim të fushatës elektorale, dialogu dhe përgjegjësia mund të mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe dhunën”.
Kryeministri indian, Narendra Modi e quajti Trumpin mik dhe i uroi shërim të shpejtë ndërsa denoncoi dhunën duke thënë se ajo nuk ka vend në demokraci.
Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva e ka quajtur sulmin të papranueshëm ndërsa gjithashtu u bëri thirrje të tjerëve ta dënojnë atë.
LEXO EDHE: