Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se një urdhërarrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar një dënim me ekzekutim.
Khamenei i bëri komentet të hënën gjatë një ngjarjeje në të cilën ai foli me anëtarët e Basij, krahu vullnetar i Gardës Revolucionare paraushtarake të Iranit, raporton AP.
"Ajo që ata (izraelitët) bënë nuk është fitore, është një krim lufte. Urdhri i arrestimit të tij (Netanyahut) është lëshuar, por kjo nuk mjafton, një dënim ekzekutimi për Netanyahun (duhet të lëshohet)”, ka thënë Khamenei të hënën.
Gjykata më e lartë botërore për krimet e luftës lëshoi të enjten urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit, duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën 13-mujore në Gaza.
Në urdhëresa thuhej se kishte bazë për të besuar se Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë përdorur "vdekjen nga uria si një metodë lufte" duke kufizuar ndihmën humanitare dhe kanë shënjestruar qëllimisht civilët në fushatën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, akuza që zyrtarët izraelitë i mohojnë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë nuk jep dënime me vdekje.