Vrasja e sa më shumë njerëzve dyshohet se ishte motivi i 19-vjeçarit të arrestuar të mërkurën për terrorizëm në Vjenë. Për këtë arsye, ai ka planifikuar sulm në koncertin e yllit botëror Taylor Swift, raporton “Kronen Zeitung”.
19-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur por që është nga Maqedonia e Veriut, u arrestua së bashku me dy të tjerë për planifikim të sulmit terrorist në kryeqytetin austriak. Tre të tjerë të dyshuar, sipas policisë austriake, janë në kërkim.
Ai planifikoi sulm me bombë në koncertin e këngëtares amerikane në Vjenë, i cili do të mbahej për tre ditë radhazi nga e enjtja. Por u anulua nga organizatorët. Pritej të merrnin pjesë mbi 65 mijë njerëz në secilën ditë të koncertit.
I riu u radikalizua në internet. Pak javë më parë u betua për besnikëri ndaj organizatës terroriste IS, raportojnë mediat austriake. Ai bisedoi përmes Messengerit me një bashkëpunëtor, i cili është në mesin e të arrestuarve.
19-vjeçari kishte marrë materiale kimike për të prodhuar eksplozivë në një nga kompanitë ku kishte punuar.
Policia austriake gjatë operacionit të arrestimeve evakuoi komunitetin prej 15 mijë banorësh në Ternitz. Fqinjët e përshkruan 19-vjeçarin "si djalosh të shoqërueshëm, që ka një motër të vogël të lezetshme dhe një familje të mirë". Ai jetonte me familjen në Ternitz prej disa vjetësh.
Kancelari austriak Karl Nehammer njoftoi se falë bashkëpunimit të autoriteteve austriake me shërbimet e huaja është arritur të evitohet një tragjedi.
Shërbimi sekret amerikan raportohet se luajti rol kryesor në parandalimin e tragjedisë. Amerikanët zbuluan videon në të cilën 19-vjeçari deklaronte besnikërinë ndaj Shtetit Islamik, si ato që zakonisht pasojnë një sulm terrorist si provë për marrjen e përgjegjësisë nga ISIS-i.