Kur forcat izraelite pushtuan Rafahun në maj dhe i urdhëruan të gjithë në Rafahun lindor që të largoheshin, Islam Dahliz, tha se perimet sapo kishin filluar të mbinin. Familjet që ishin strehuar te familja Dahliz u shpërndanë. Dahlizët mblodhën rroba, materiale për të ndërtuar një tendë të improvizuar dhe zgjodhën një vend për ta vendosur, sa më afër shtëpisë. Por ata nuk e panë shtëpinë për muaj të tërë, pavarësisht se ishin vetëm disa kilometra larg. Kur u kthyen, ajo nuk ishte më
Pak minuta pasi luftimet ndaluan në Gazë të dielën e kaluar, Islam Dahliz, babai dhe vëllai i tij u nisën drejt lagjes ku kishin jetuar deri në momentin kur forcat izraelite i urdhëruan që të largoheshin.
Ata kërkonin shtëpinë e tyre, por peizazhi rreth tyre ua rrëmbeu shqisat. Vende të njohura, rrugë, shtëpitë e fqinjëve – gjithçka ishte kthyer në rrënoja.
Pastaj Dahliz tha se njohu sallën e dasmave, ose çfarë kishte mbetur prej saj. Kjo do të thoshte se shtëpia e tyre ishte, apo kishte qenë në rrugën pas tyre, në një vend ku tashmë ata e kishin kaluar. Ata thjesht nuk e kishin njohur, këtë shtëpi që babai i Dahliz e kishte ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë.

“Na u deshën disa minuta për ta pranuar faktin se ai grumbull rrënojash ishte shtëpia jonë”, tha Dahliz, 34 vjeç, i cili punon me grupet lokale të ndihmës. Ata qëndruan aty, pa fjalë.
Ai tha se babai i tij 74-vjeçar, Abed Dahliz, ndjeu se po rrëzohej. Djemtë e tij u desh ta ndihmonin që të kthehej në tendën e tyre për të pushuar.
“U trondita kur pashë të gjithë jetën time – gjithçka për të cilën punoja – të rrafshuar me tokë”, tha Abed Dahliz, me zërin e tij të butë që dridhej. “Shtëpia që kalova kaq shumë vjet duke e ndërtuar, duke derdhur kursimet e mia, është zhdukur”.
Ky nuk ishte momenti që ata kishin shpresuar dhe imagjinuar gjatë gjithë këtyre muajve, ku qenë të detyruar të zhvendoseshin nga tenda në tendë, duke mbledhur plaçkat e duke filluar jetesën nga e para për gjithsej katër herë me radhë. Ata e kishin imagjinuar kthimin e tyre në shtëpi. Një rifillim të jetës së tyre.
Në tendën e improvizuar në afërsi të një parku në perëndim të Rafahut, ku ata kishin qëndruar për herë të fundit, Dahliz me babanë dhe vëllain e tij kishin mbledhur gjërat e tyre të dielën në mëngjes, kur edhe pritej të hynte në fuqi armëpushimi. Islam Dahliz shikonte tërë kohën telefonin e tij, duke rifreskuar llogaritë e mediave sociale për më të rejat e fundit. E gjithë familja u tensionua kur dëgjuan se marrëveshja për armëpushim mund të dështojë pas një problemi të minutës së fundit: Hamasi, sipas Izraelit, nuk e kishte dorëzuar listën e premtuar të pengjeve izraelite.
Më pas, në orën 11:15, në radio u raportua se armëpushimi ishte aktiv. Babai dhe vëllezërit hipën në makinë dhe u nisën për në shtëpi.
Shtëpia dykatëshe, në rrugën “Al-Imam Ali” në Rafah, ishte ndërtuar në vitin 1971 dhe ishte shfrytëzuar, si shumë shtëpi në Gaza, nga tre breza të së njëjtës familje. Prindërit jetonin në njërin kat ndërsa Dahliz, gruaja dhe fëmijët e tyre kishin një tjetër. Ai tregon se i kishte ruajtur kursimet e tij për një kuzhinë të re, mobile dhe çarçafë kur u kthye në Gaza nga Hungaria, ku kishte studiuar për shkenca bujqësore.

Vëllezërit e tij Mohammedi dhe Anasi jetonin gjithashtu atje me familjet e tyre, ndërsa një vëlla tjetër jetonte rreth një kilometër larg. Shtëpia ishte aq e madhe sa që gjatë shtatë muajve të parë të luftës, familja Dahliz mundi të strehojë rreth 10 familje që ishin evakuuar nga rajone të tjera të Gazës.
Afër shtëpisë ishte edhe ferma e familjes, e ndërtuar nga babai i tyre e për të cilën kujdesej Mohammedi, 40 vjeç. Ullinjtë dhe hurmat qëndronin krah për krah me serat ku kultivohej majdanoz, sallata dhe rukola. Ata madje mbanin lepuj, pula dhe 40 dele, të cilat Mohammedi i çonte në fusha për të kullotur çdo mëngjes.
Mohammed Dahliz e kujtonte babanë e tij kur mbillte palma kur ky ishte i vogël. Ai thotë se i kujtonte fëmijët e tij të vegjël para luftës, duke ndjekur pulat përreth, duke mbledhur vezët e tyre për mëngjes e duke qeshur.
Ushtria izraelite ka deklaruar se sulmoi zonat e banuara sepse luftëtarët e Hamasit po futeshin në ndërtesa civile, megjithëse një hetim i New York Times zbuloi se Izraeli dobësoi mbrojtjen civile për ta bërë më të lehtë bombardimin e Gazës gjatë luftës.
Kur forcat izraelite pushtuan Rafahun në maj dhe i urdhëruan të gjithë në Rafahun lindor që të largoheshin, Islam Dahliz tha se perimet sapo kishin filluar të mbinin. Familjet që ishin strehuar te familja Dahliz u shpërndanë. Dahlizët mblodhën rroba, materiale për të ndërtuar një tendë të improvizuar dhe zgjodhën një vend për ta vendosur, sa më afër shtëpisë.

Por ata nuk e panë shtëpinë për muaj të tërë, pavarësisht se ishin vetëm disa kilometra larg.
Kushërinjtë e tyre arrinin të futeshin fshehurazi në lagje herë pas here, duke u sjellë të rejat e fundit. Shtëpia e tyre nuk ishte rrënuar ende, u thanë ata në fillim. Pastaj u thanë se disa nga dyert dhe dritaret e saj ishin hedhur në erë.
Në vjeshtë, familja Dahliz kërkoi imazhet satelitore që qarkullonin në mediat sociale: shtëpia ishte ende e paprekur. Pastaj i kontrolluan përsëri më 8 dhjetor, kujton Islam Dahliz. Gjithçka që panë, në vendin ku ishte shtëpia, ishin rrënoja.
Palmat dhe ullinjtë e tyre tashmë ishin rrëzuar, me trungjet e shpërndara në tokë. Tanket izraelite kishin lënë gjurmë në të gjithë tokën e tyre.
“Ndihem i humbur, krejtësisht i humbur”, tha Mohammed Dahliz. Pastaj, i zemëruar, tha: “Kjo ishte një zonë bujqësore, një vend paqeje. Nuk përbënte asnjë kërcënim për askënd, asnjë rrezik për ushtarët. Nuk kishim asnjë lidhje me politikën, nuk kishim arsye për t’u bërë pjesë e kësaj dhune”.
Islam Dahlizi tregon se vajza e tij, Juan, 9 vjeçe, bërtiti kur ai i tregoi asaj fotografitë e shtëpisë. “Të kujtohet, babi, kur festova ditëlindjen në sallën e madhe?” i tha ajo duke qarë.
Të hënën në mëngjes, vëllezërit dhe babai i tyre shkuan me makinë në lagjen e tyre për herë të dytë, në një rrugë që qe bllokuar nga familje të tjera, nga automjetet e mbushura me pasagjerë dhe sendet e paketuara. Ata ishin mbledhur për të ruajtur gjithçka që mundnin. Në të gjithë Rafahun, njerëzit mbushnin thasët e miellit dhe të tjerë të arnuar, me copëza metali që ndoshta mund t’i shisnin ose ripërdornin, si dhe mblidhnin dru që t’i digjnin.
Mohammed Dahliz shpresonte që thjeshtë të gjente disa nga lodrat e vjetra të vajzës së tij 14-vjeçare Jana, ato që ai ia kishte sjellë për ditëlindjen e saj ose sa herë që ajo arrinte diçka pozitive në shkollë. Ai tregon se ajo i ishte lutur që t’i kërkonte.
“Unë thjesht dua të gjej një pjesë të fëmijërisë së saj”, thekson ai. “Kam kërkuar që nga mëngjesi, duke shpresuar të gjej diçka që i përkiste asaj”.
Duke gërmuar nëpër rrënoja, Islam Dahliz u ndesh me certifikatat e tij të vjetra të shkollës, diçka që e shtyu të qeshte. Por përndryshe, ata nuk kishin gjetur shumë sende tjera. Dru zjarri, disa jastëkë e një rezervuar bosh që ata shpresonin ta riparonin.
Nëse të dy palët do të negocionin një fund të përhershëm të luftës, siç supozohet ta bëjnë gjatë fazës fillestare të armëpushimit, familja do të punësonte një buldozer për të pastruar rrënojat, fillimisht nga ferma, pastaj nga shtëpia. Do të instalonim disa tuba, do të ndërtonim një tualet bazë dhe do të vendosnim një rezervuar uji, u shpreh ai.
“Nuk do mbaronin vuajtjet”, tha ai, “por të paktën do të ishim më afër shtëpisë ku kemi krijuar kaq shumë kujtime”.
Muzgu po binte. Ata duhej të ktheheshin në tendën e tyre. Ajo që mbeti nga jeta e vjetër e familjes Dahliz mezi mbushi pjesën e pasme të një makine të vogël.