Botë

Turqia rikthen në post kryetarin prokurd të cilit ia mohoi fillimisht

Turqia rikthen në post kryetarin prokurd të cilit ia mohoi fillimisht

Turqia rikthen në post kryetarin prokurd të cilit ia mohoi fillimisht

Autoritetet elektorale të Turqisë kanë anuluar vendimin që ia mohonte një kandidati prokurd të sapozgjedhur të drejtën për ta mbajtur postin e kryetarit në qytetin lindor turk të Vanit, raporton BBC.

Abdullah Zeydan fitoi zgjedhjet për kryetar në provincën lindore Van me më shumë se 55% të votave.
Por autoritetet elektorale ia mohuan atij fitoren dhe e zëvendësuan atë me kandidatin që doli i dyti në zgjedhjet lokale - kandidatin nga partia e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Vendimi për mohimin e mandatit të Zeydanit, i cili vjen nga radhët e partisë prokurde DEM, nxiti reagime dhe protesta në të gjithë Turqinë juglindore.

Partia DEM e cilësoi vendimin si “puç politik” dhe i kërkoi qeverisë të respektojë vullnetin e votuesve të Vanit.

Protestat shpërthyen në Van, në qytetin me shumicë kurde, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. 

Qyteti i Vanit është një nga 10 zonat e fituara nga partia prokurde DEM në jug dhe juglindje të Turqisë në zgjedhjet lokale të së dielës së kaluar.