Administratës së re në Siri duhet t'i jepet një shans për të qeverisur pas mesazheve të tyre konstruktive, dhe Turqia është e gatshme të ofrojë trajnime ushtarake nëse kërkohet një ndihmë e tillë, ka deklaruar ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka mbështetur rebelët sirianë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad fundjavën e kaluar, duke i dhënë fund një lufte civile 13-vjeçare, raportoi Reuters.
Turqia rihapi ambasadën e saj në Damask të shtunën, dy ditë pasi shefi i saj i inteligjencës vizitoi kryeqytetin sirian.
"Në deklaratën e tyre të parë, administrata e re që rrëzoi Assadin njoftoi se do të respektonte të gjitha institucionet qeveritare, Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, u ka thënë Guler gazetarëve në Ankara.
"Ne mendojmë se duhet të shohim se çfarë do të bëjë administrata e re dhe t'u japim atyre një shans”, ka deklaruar ai.
Kur u pyet nëse Turqia po shqyrtonte bashkëpunimin ushtarak me qeverinë e re siriane, Guler ka thënë se Ankaraja tashmë ka bashkëpunim ushtarak dhe marrëveshje trajnimi me shumë vende.