Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka bërë të ditur të mërkurën se Turqia do t’i bashkohet Afrikës Jugore në rastin e saj për gjenocid kundër Izraelit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
“Sot ia paraqitëm presidentit tonë të nderuar rezultatet e vlerësimeve tona dhe në përputhje me vendimin e marrë politik, dua të njoftoj këtu për herë të parë se ne si Turqi kemi vendosur të ndërhyjmë zyrtarisht në çështjen ligjore të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Fidan, raporton Reuters.
Ai ka thënë se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë popullin palestinez në të gjitha rrethanat.
GJND-ja urdhëroi Izraelin që të përmbahet nga çdo akt që mund të përfshihet në Konventën e Gjenocidit dhe të sigurojë që trupat e tij të mos kryejnë akte gjenocidale kundër palestinezëve, pasi Afrika e Jugut akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza.
Në janar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia ishte duke siguruar dokumente për rastin në GJND, të njohur po ashtu edhe si Gjykata Botërore.
Izraeli dhe aleatët e tij perëndimor e kanë cilësuar akuzën si të pabazë.
Një vendim përfundimtar për rastin e Afrikës Jugore në GJND në Hagë mund të marrë vite.