Rivalët e vjetër Turqia dhe Greqia do të testojnë një iniciativë miqësie pesë-mujore të hënën kur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis të vizitojë Ankaranë.
Dy anëtarët e NATO-s, të cilët ndajnë dekada armiqësi reciproke, një kufi të tensionuar dhe ujëra të diskutueshme kanë rënë dakord vitin e kaluar të anashkalojnë mosmarrëveshjet.
Në vend të kësaj, ata janë të përqendruar në tregti dhe energji, riparimin e lidhjeve kulturore dhe një listë të gjatë të çështjeve të tjera të vendosur në të ashtuquajturën agjendë pozitive.
Mitsotakis ka thënë se është e domsdoshme që Greqia dhe Turqia të kenë kanale të komunikimit gjithmonë, pavarësisht mospajtimeve.
"Ne gjithmonë i qasemi diskutimeve tona me Turqinë me besim dhe pa iluzione se qëndrimet turke nuk do të ndryshojnë nga një moment në tjetrin. Megjithatë, mendoj se është e domosdoshme që kur nuk pajtohemi, kanalet e komunikimit duhet të jenë gjithmonë të hapura”, ka thënë Mitsotakis javën e kaluar, duke komentuar vizitën.
Ioannis Grigoriadis, profesor i asociuar në Universitetin Bilkent, ka thënë për Associated Press se të dy palët do të kërkonin të zgjeronin këtë "agjendë pozitive" me zgjidhje të favorshme në tema si turizmi, tregtia dhe migrimi.
Grigoriadis, profesori i asociuar, ka thënë se normalizimi dhe takimet e rregullta janë "diçka shumë pozitive".
“Të dyja palët kanë shumë çështje për të diskutuar. Ato mund të bien dakord të mos pajtohen për disa, por mund të bien dakord për shumë të tjera”, është shprehur ai.
Erdogan vizitoi Athinën në fillim të dhjetorit dhe që atëherë të dy vendet kanë mbajtur kontakte të rregullta të nivelit të lartë për të promovuar një sërë nismash.