Një gjykatë turke urdhëroi të enjten arrestimin e një kryebashkiaku nga Partia Popullore Republikane (CHP) kryesore opozitare e Turqisë, për lidhje të dyshuara militante.
Ahmet Ozerin, kryebashkiak i qarkut Esenyurt të Stambollit u akuzua të mërkurën nga zyra e kryeprokurorit se ishte anëtar i Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), raporton Reuters.
Ozer mohon pretendimet e lidhura me terrorizmin, ndërsa partia e tij tha se do ta mbronte atë kundër "akuzave të pabaza".
Urdhri i gjykatës vjen disa ditë pasi PKK-ja mori përgjegjësinë për sulmin e javës së kaluar ndaj kompanisë turke të mbrojtjes TUSAS, që la të vdekur pesë persona në Ankara.
Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel ka thënë se arrestimi bazohej në "akuza abstrakte" dhe kishte për qëllim të dëmtonte vullnetin e popullit.
“Ne padyshim që do ta mposhtim këtë mendje të ndyrë që nuk e njeh kombin dhe nuk respekton zgjedhjet e njerëzve dhe do të pengojmë këtë plan të neveritshëm”, ka thënë Ozel në një postim në X.
Komiteti qendror ekzekutiv i CHP-së do të mblidhet të enjten në selinë e CHP Esenyurt, teksa Ozel u ka bërë thirrje banorëve të mblidhen rreth bashkisë Esenyurt për të protestuar kundër vendimit.
PKK ka zhvilluar një kryengritje në Turqinë juglindore për katër dekada, me më shumë se 40,000 njerëz të vrarë në konflikt. Ai është cilësuar një grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.