Afganistan

Turizmi nën tytat e armëve

Afganistan

Foto: BBC

Talebanët në Afganistan po mundohen që përmes turizmit ta përmbushin nevojën e pushtetit të tyre për para. Ndonëse shumë njerëz janë kuriozë për të parë se si jetohet në shtetin ku mendohet se ekziston një qasje dyshuese ndaj të huajve, sidomos ndaj perëndimorëve, vendi i cili është rikthyer nën regjimin e talebanëve në vitin 2021, shihet edhe më tutje si një rrezik i mundshëm.

Kur bëhet fjalë për planifikimin e pushimeve, Afganistani nuk është në krye të listave të shteteve që shumica e njerëzve mendojnë se duhet t’i vizitojnë.

Dekada konflikti do të thotë se pak turistë guxuan të shkelnin në vendin e Azisë Qendrore që nga lulëzimi i tij si pjesë e shtegut të hipive në vitet 1970. Dhe e ardhmja e çdo industrie të turizmit që kishte mbijetuar, u fut në pasiguri të mëtejshme nga kthimi i talebanëve në pushtet, në vitin 2021.
Por një ndërrim i befasishëm nëpër mediat sociale lë të kuptohet se jo vetëm që turizmi ka mbijetuar, por ai, në mënyrën e tij jashtëzakonisht të veçantë, tashmë ka lulëzuar.

"Pesë arsye pse Afganistani duhet të jetë udhëtimi juaj i radhës”, thuhet në postimet e influencuesve të kënaqur, derisa me kamerat e tyre xhirojnë pamje nëpër liqene të shndritshme, nëpër kalimet malore dhe në tregjet plot ngjyra dhe shumë të frekuentuara.

"Afganistani nuk ka qenë kaq i sigurt për 20 vjet," deklarojnë të tjerë, duke pozuar pranë humnerës së madhe të lënë pas nga shkatërrimi i Buddhave Bamiyan më shumë se 20 vjet më parë.

Pas pretendimeve të mira dhe videove magjepsëse, janë pyetjet në lidhje me rreziqet që po marrin këta udhëtarë dhe se kë po ndihmon vërtet kjo industri në zhvillim.

Një popullsi që lufton për të mbijetuar, apo një regjim të etur për të ndryshuar narrativën në favor të tij?

“Është shumë ironike të shohësh ato video në TikTok në të cilat ka një udhërrëfyes taleban dhe një zyrtar taleban që u ofrojnë turistëve bileta për të vizituar[vendin e shkatërrimit të Budave,” thekson Farkhondeh Akbari, familja e të cilës iku nga Afganistani gjatë regjimit të parë taleban në vitet 1990.
"Këta janë njerëzit që shkatërruan Budat”, është shprehur ai.

“Është thjesht i papërpunuar”

Lista e vendeve të vizituara nga Sascha Heeney, në dëgjimin e parë, nuk tingëllon si destinacionet ideale për pushime - vende për të cilat shumë do të mësojnë nga lajmet.

Por më pas duket se është pikërisht kjo arsyeja pse Heeney dhe mijëra të tjerë si ajo në mbarë globin, i zgjodhën ato: jashtë rrugës së shtruar, aq larg nga një vendpushim me pesë yje, dhe për këtë arsye, pothuajse tërësisht unike.

"Është thjesht i papërpunuar", thotë udhëzuesi i udhëtimit nga Brightoni i Mbretërisë së Bashkuar.
“Nuk bëhesh shumë më i papërpunuar se atje. Kjo mund të jetë tërheqëse – nëse doni të shihni jetën reale”, shton udhëzuesi.

Çfarë përfitojnë talebanët prej saj? Në fund të fundit, ata kanë një reputacion se janë thellësisht dyshues, madje armiqësorë ndaj të huajve, veçanërisht perëndimorëve.

E megjithatë ja ku janë ata, duke pozuar, qoftë edhe paksa në siklet, përkrah turistëve, me armë në shfaqje, fytyrat e tyre me mjekër potencialisht gati për t’u bërë virale në TikTok (platformë e ndaluar në vend që nga viti 2022).

Në një nivel, përgjigja është e thjeshtë. Talebanët, kryesisht të izoluar ndërkombëtarisht, nën sanksione të përhapura dhe të penguar nga qasja në fondet e dhëna për ish-qeverinë e Afganistanit, kanë nevojë për para. Turistët, numri i të cilëve është rritur nga vetëm 691 në 2021 në më shumë se 7,000 vitin e kaluar, sipas Agjencisë së lajmeve Associated Press, mund t’ia gjenerojë ato.
Shumica duket se po i bashkohen një prej turneve të panumërta të ofruara nga kompanitë ndërkombëtare, duke ofruar një vështrim në "Afganistanin e vërtetë" për disa mijëra dollarë në udhëtim.

Mohammad Saeed, kreu i Drejtorisë së Turizmit të qeverisë së Talebanëve në Kabul, në fillim të këtij viti ka thënë se ai ëndërronte që vendi të bëhej një pikë e nxehtë turistike. Në veçanti, ai po i kushtonte vëmendje tregut kinez.

"Gjithçka që duan të bëjnë (me turizmin), është mirë”, thotë udhërrëfyesi afgan i turneut Rohullah, fytyra e buzëqeshur e të cilit është shpërndarë dhjetëra herë nga klientët e lumtur që kur filloi të drejtonte grupe tre vjet më parë.

“Turizmi krijon shumë vende pune dhe mundësi”, ka shtuar ai.

Ndër pikat kryesore të çdo turneu është një vizitë për të parë se ku qëndronin dikur Budat e mëdhenj.
Pas asaj që ai i referohet si "ndryshimi" në vitin 2021 - kur talebanët morën pushtetin ndërsa SHBA-ja u tërhoq, atij iu ofrua një punë si udhërrëfyes turistik nga një mik. Para kësaj, ai kishte kaluar tetë vjet duke punuar për ministrinë afgane të Financave.

Dhe ai nuk është penduar për këtë. Grupet turistike si Heeney's kanë nevojë për shoferë dhe udhëzues lokalë, dhe me numrin e turistëve që vazhdon të rritet, nuk ka mungesë të punës.
Nuk është për t'u habitur të gjesh grupe të rinjsh, dhe të gjithë janë burra, që ndjekin klasat e mikpritjes të miratuara nga talebanët në Kabul, duke shpresuar të përfitojnë nga industria në zhvillim.
“Ne presim shumë për këtë vit. Kjo është një kohë paqeje - nuk ishte e mundur të udhëtosh në të gjitha pjesët e Afganistanit më parë, por tani për tani, është me të vërtetë e mundur”, thotë Rohullah.
Vrasja e tre turistëve spanjollë dhe një afgan në një treg në Bamiyan në maj, nga grupi militant ISK i lidhur me Shtetin Islamik u cilësua si i pazakontë sepse synonte të huajt.

Ministria e Jashtme britanike vazhdon të këshillojë kundër çdo udhëtimi në vend, i cili mbetet një objektiv për sulme. ISK kreu 45 sulme vetëm në vitin 2023, sipas Qendrës për Luftimin e Terrorizmit në West Point.

Sigurisht, një arsye për rritjen e sigurisë në Afganistan tani, është se gjatë luftës 20-vjeçare që përfshiu vendin pas pushtimit të SHBA-së, vetë talebanët ishin përgjegjës për shumicën e dhunës.
Merrni, për shembull, tre muajt e parë të vitit 2021, kur OKB-ja ia atribuoi më shumë se 40% të 1783 viktimave civile të regjistruara talebanëve. Megjithatë, nuk ishin vetëm talebanët. I njëjti raport vuri në dukje se forcat qeveritare afgane të udhëhequra nga SHBA-ja ishin përgjegjëse për 25% të viktimave në të njëjtën periudhë.

"Njihni rregullat dhe mësoni lojën"

Ajo që është ndoshta më befasuese është se Heeney dhe dy anëtarë të tjerë të grupit që ajo drejtoi për Lupin Tours në fillim të këtij viti, ishin gra. Dhe nuk ishin të vetmet. Young Pioneer Tours - e cila ka përvojë të gjatë në organizimin e pushimeve në Korenë e Veriut dhe destinacione të tjera jashtë rrjetit - madje kryen udhëtime ekskluzive për gra në Afganistan. Rohullah i ka udhëzuar gratë udhëtare të vetme "pa asnjë problem".

Rregullat strikte të talebanëve për popullatën e tyre të gjinisë femërore, si pasojë e të cilave ato janë larguar nga vendi i tyre i punës, nga arsimi i mesëm dhe madje edhe nga parku kombëtar Band-e-Amir, një ndalesë e  shumë prej turneve ndërkombëtare që ofrohen, nuk i përjashtojnë vizitat e turisteve gra.

Kjo do të thotë se "gratë dhe burrat kanë rrugëtime të ndryshme" në Afganistan, pranon Rowan Beard, i cili ka sjellë grupe në vend që nga viti 2016. Nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, argumenton ai.

“Burrat nuk mund të flasin me gratë, gratë munden. Turistet tona gra patën mundësinë të ulen me një grup grash dhe të dëgjojnë prej tyre për përvojat e tyre dhe njohuri të mëtejshme për vendin”, ka deklaruar ai.

Por të gjithë duhet të ndjekin rregullat e vendosura. Heeney dhe grupi i saj u informuan paraprakisht për ato që do të kërkoheshin për t’u përmbushur ato rregulla, duke përfshirë mënyrën se si visheshin, si të vepronin dhe me kë mund dhe nuk mund të flisnin.

Talebanët, gjithmonë të pranishëm, duke parë nga ana tjetër me armët e tyre, ishin ndër ata që nuk folën me Heeney-n apo me anëtarët gra të grupit të saj. Ajo nuk u mërzit.

"Duhet të dish rregullat dhe të mësosh lojën”, ka shpjeguar ajo.

Për Heeney, të biseduarit me gratë, të cilat ishin "jashtëzakonisht të lumtura" që grupi po i vizitonte - ishte një moment kryesor në një turne ku dalloheshin njerëzit "absolutisht të bukur", bujarë dhe mikpritës të Afganistanit.
Në videot e postuara në mediat sociale, gratë u mungojnë dukshëm skenave të gjalla të rrugëve, një fakt i harruar nga një vizitor, i cili deklaron se njerëzit nuk duhet të shqetësohen, sepse sipas tij, ato janë brenda duke bërë atë që gratë në mbarë botën duan të bëjnë: të blejnë.

“Zbardhja e vuajtjeve tona”

Duke parë këto video të shkëlqyeshme nga jashtë Afganistanit, disave u mbetet një shije e hidhur.
"(Turistët mendojnë) se është pikërisht kjo pjesa e prapambetur e botës dhe ata mund të bëjnë çfarë të duan – ‘ne nuk na intereson’," thotë Akbari, e cila tani është studiuese postdoktorale në Universitetin Monash në Australi.

"Ne thjesht shkojmë dhe shijojmë peizazhin dhe marrim pamjet dhe pëlqimet tona. Dhe kjo na lëndon shumë."

Ajo shton se ky është “turizëm joetik me mungesë të vetëdijes politike dhe sociale”, i cili sipas saj,  i lejon talebanët të fshehin realitetet e jetës, tani që janë kthyer në pushtet.

Sepse kjo është, pa dyshim, vlera tjetër e turizmit për talebanët: një imazh i ri. Një që nuk nxjerr në pah rregullat që kontrollojnë jetën e grave afgane.

Ndërsa gratë perëndimore mund të udhëtojnë relativisht lirshëm në vend, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gratë afgane.

“Familja ime, ajo nuk ka kujdestar mashkull, nuk mund të udhëtojë nga një distrikt në tjetrin,” thekson Akbari. 

“Po flasim për 50% të popullsisë që nuk ka të drejta… Po flasim për një regjim që ka instaluar aparteidin gjinor. Dhe po, ka një krizë humanitare: jam e lumtur që turistët mund të shkojnë dhe të blejnë diçka nga një dyqan dhe kjo mund të ndihmojë një familje vendase, por sa është kostoja e saj? Po normalizon regjimin taleban”, është shprehur ajo.

Heeney pranon se kishte një "luftë morale" mbi pozicionin e talebanëve ndaj grave përpara se të vizitonte Afganistanin.

"Unë mendoj se vendet meritojnë të vizitohen dhe të dëgjohen - ne kemi një ide të gabuar. Më pëlqen të shoh me sytë e mi. Unë mund të bëj gjykimin tim”, thotë ajo.

Ndërkaq Beard argumenton se duhet lënë njerëzit "të nxjerrin konkluzionet e tyre në vend që të ketë një përgjigje të vetme për përvojën që gratë kanë në vend".

Pikëpamja tepër pozitive e ndarë nga disa në mediat sociale definitivisht mund të shihet si problematike, thotë Marina Novelli, profesoreshë e marketingut dhe turizmit në Nottingham University School of Business.

"Do të isha shumë e kujdesshme ndaj sensacionalizimit të një destinacioni”, shprehet ajo, duke shpjeguar se disa mund të "pikturojnë një imazh që është naiv".

"Ndonjëherë udhëtarët gjithashtu duan të dërgojnë një mesazh pozitiv - por kjo nuk do të thotë se atje nuk ka probleme”.

Të drejtat e grave, duke përfshirë atë për të punuar, janë kufizuar rëndë që kur talebanët morën kontrollin.

“Bojkotimi nuk është gjithashtu rruga e duhur”, argumenton Novelli, e cila është pjesë e një bordi ndërkombëtar të etikës së turizmit.

“Më duket problematike – i izolon edhe më shumë këto vende”, shton ajo.

Ajo gjithashtu shtron pyetjen se ku të vihet kufiri.

“Ka shumë destinacione turistike në veriun global që kanë qeveri me praktika të dyshimta”, thotë ajo.
Megjithatë, sipas saj, potenciali për përfitim nga ky turizëm ia vlen gjithashtu të merret në konsideratë. 

“Në Arabinë Saudite, një industri në rritje e turizmit ka çuar në një rol të zgjeruar në shoqëri për gratë. Unë mendoj se turizmi mund të jetë një forcë për paqen, për shkëmbimin ndërkulturor”, shprehet Novelli.

Megjithatë, ky potencial nuk e bën situatën më të lehtë për gratë si Akbari, familjen dhe miqtë e saj në Afganistan.