Botë

“Tubimi Kombëtar” thërret francezët të protestojnë për Le Penin

Marine Le Pen

Foto: Associated Press

Presidenti i partisë së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar”, Jordan Bardella, u ka bërë thirrje francezëve që të mblidhen këtë fundjavë, për të protestuar kundër ndalimit të udhëheqëses së partisë, Marine Le Pen, që të kandidojë për poste publike për pesë vjetët e ardhshme.

Le Pen është shpallur fajtore të hënën nga një gjykatë në Paris, për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian për ta financuar partinë e saj. Pëveç ndalimit që të kandidojë për poste publike për pesë vjetët e ardhshme, me efekt të menjëhershëm, ajo po ashtu është dënuar me katër vjet burgim dhe 100.000 euro gjobë. Dënimi me burgim dhe me gjobë nuk do të aplikohen derisa të shterohen të gjitha apelet nga Le Peni. 

Vendimi i gjykatës është katastrofik për Le Penin, një udhëheqëse për një kohë të gjatë e “Tubimit Kombëtar”, e cila ka kryesuar sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

“Besoj se sot francezët duhet të jenë të indinjuar dhe unë u them: Jini të indinjuar”, ka thënë Bardella për radion Europe 1 dhe televizionin Cnews.

“Do të dalim rrugëve këtë fundjavë. Do të organizojmë mbledhje demokratike, paqësore dhe të qetë”, ka shtuar ai. 

Mënjeherë pas shpalljes fajtore të Le Penit të hënën, mediat kanë raportuar se Bardella mund të jetë kandidat i “Tubimit Kombëtar” për zgjedhjet e vitit 2027, mirëpo Le Pen ka deklaruar se “nuk do ta lejojë veten të eliminohet në këtë mënyrë”. 

Ajo ka thënë se do ta apelojë sa më shpejtë që të jetë e mundur vendimin e gjykatës.

Le Pen ka garuar tri herë për presidente të Francës dhe është zotuar që zgjedhjet e vitit 2027 do të jenë të fundit që ajo do të paraqesë kandidaturën e saj.