Lufta në Ukrainë

Trupat ukrainase tërhiqen nga disa pozicione, shefi i ushtrisë flet për “përkeqësim të situatës”

Forcat Ukrainase

Foto: Getty Images

Shefi i Ushtrisë së Ukrainës ka thënë se situata në vijën e frontit është përkeqësuar si pasojë e sulmeve të shumëfishta ruse. 

Oleksandr Syrskyi ka thënë se forcat ukrainase janë tërhequr nga pozicionet në rajonin lindor të Donetskut, raporton “BBC”. 

Rusia është duke tentuar ta shfrytëzojë superioritetin në numër të ushtarëve dhe artileri, para se forcat ukrainase të marrin furnizimet aq të nevojshme me armë të reja amerikane. 

SHBA-ja javën e kaluar miratoi një pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë 61 miliardë dollarë. 

Por, armët e reja të SHBA-së ende nuk kanë arritur në vijën e frontit në Ukrainë atje ku trupat ukrainase po përballen me muaj me mungesë municioni, me inferioritet në numër të ushtarëve dhe po ashtu mungesë të mbrojtjes ajrore. 

“Situata në front është përkeqësuar”, ka thënë gjenerali Syrskyi në një postim në “Telegram” të dielën. 
Ai ka konfirmuar se trupat ukrainase janë tërhequr nga pozicionet e tyre në zonat në Donetsk ku kishte formuar vijën e mbrojtjes pasi që Rusia kishte pushtuar qytetin Avdiivka në shkurt. 

Shumica e luftimeve u zhvilluan rreth Chasiv Yarit, një fortesë e kontrolluar nga Kievi e të cilën Rusia tentonte ta pushtonte pasi e mori Avdiivkan. 

Vijat e reja të mbrojtjes tash janë kthyer më në perëndim në disa zona, ku gjenerali Syrskyi pranoi humbjen e territorit. 

Ai tha se Moska “ka siguruar sukses taktik në disa sektorë”. 

Syrskyi shtoi se brigada të reja ukrainase po dërgohen për t’i zëvendësuar njësitetet që kanë pësuar humbje. 

E Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë të dielën se trupat e saja kanë pushtuar fshatin Novobakhmutivka, rreth 10 kilometra në veri të Avdiivkas.