Botë

Trumpit i refuzohet kërkesa për shtyrjen e dënimit të tij në rastin “paratë për heshtje”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Gjykata e Apelit e New Yorkut ka refuzuar kërkesën e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të shtyrë dënimin e tij që do të bëhet të premten, në rastin “paratë për heshtje”.

Gjykata e hodhi poshtë kërkesën pas një seance të shkurtër dëgjimore për këtë çështje të martën pasdite, raporton CNN.

Trumpi të martën ka kërkuar të pezullohen procedimet në çështjen e "parave për heshtje", duke përfshirë dënimin e tij të planifikuar për të premten, pasi gjyqtari i rastit, Juan Merchan, refuzoi kërkesën e tij për të ndaluar dënimin. 

Avokati i Trumpit, Todd Blanche, i cili është edhe i zgjedhuri i tij për të qenë Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në administratën e tij të re, ka argumentuar të martën në Departamentin e Apelit të New Yorkut, se duhet të ndalohej dënimi i Trumpit, duke pranuar se situata ishte e paprecedentë.

Blanche ka thënë se vendimi i korrikut i Gjykatës Supreme për imunitetin presidencial, i ofron Trumpit mbrojtje kushtetuese.