Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se sapo të marrë detyrën, ai do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifës prej 25% për "të gjitha produktet" që hyjnë në SHBA nga fqinjët Meksika dhe Kanadaja.
Në postimin e tij të së hënës mbrëma në Truth Social, ai thotë gjithashtu se këto tarifa të jashtme, të cilat janë një lloj takse, do të jenë në fuqi derisa të dy vendet të shtypin drogën dhe migrantët e paligjshëm që kalojnë kufirin, raporton BBC.
"Siç e dinë të gjithë, mijëra njerëz po enden nëpër Meksikë dhe Kanada, duke sjellë krimin dhe drogën në nivele të papara më parë”, ka shkruar Trump.
Ai gjithashtu thotë se, për mallrat që vijnë nga Kina, mbi çdo tarifë tjetër do të vendoset një tarifë shtesë prej 10%. Kjo është më e ulët se sa ka kërcënuar më parë. Në fushatë ai ka premtuar taksë prej 60%.
“Përfaqësuesit e Kinës më thanë se do të vendosnin dënimin e tyre maksimal, atë të vdekjes, për çdo tregtar droge që kapej duke e bërë këtë, por, për fat të keq, ata nuk e ndoqën këtë, dhe droga po derdhet në vendin tonë, kryesisht përmes Meksikës, në nivele të papara. më parë”, thotë ai.
Kina ka reaguar duke paralajmëruar Washingtonin se askush nuk do të fitojë një luftë tregtare.
Presidentja e Meksikës e paralajmëron Trumpin për hakmarrje me tarifat
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump se do të vendosë tarifa prej 25% ndaj produkteve të Meksikës, sapo të vijë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Në konferencën e saj për shtyp të martën në mëngjes ajo lexoi një letër që tha se do t'i dërgonte presidentit të zgjedhur të SHBA-së, raporton BBC.
Sheinbaum ka këmbëngulur se as kërcënimet dhe as tarifat nuk do të zgjidhin "fenomenin e migrimit" apo konsumin e drogës në SHBA.
Ajo tha se ajo që kërkohet bnë vend të kësaj është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë.
Udhëheqësja meksikane paralajmëroi gjithashtu se nëse Trumpi vazhdon me tarifat, Meksika do të hakmerret duke vendosur taksat e veta mbi importet amerikane.
Dhe kjo, sipas saj, do të "vë në rrezik ndërmarrjet e përbashkëta".
Trudeau reagon pas njoftimit të Trumpit për tarifa ndaj Kanadasë
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, për shkak të njoftimit të tij për të vendosur tarifa ndaj produkteve të Kanadasë dhe Meksikës, në ditën e parë që do të vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Dyshja kanë folur me telefon për rreth 10 minuta të martën, ka thënë një zyrtar i qeverisë kanadeze për BBC.
Zyrtari ka thënë se gjatë telefonatës, kryeministri kanadez theksoi se numri i emigrantëve që kalonin kufirin kanadez është shumë më i vogël në krahasim me kufirin SHBA-Meksikë.
Trump dhe Trudeau thuhet se patën një "bisedë të mirë", duke folur për tregtinë dhe sigurinë kufitare dhe ranë dakord të mbanin kontakte.