Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se ka zgjedhur ambasadorin në Panama.
Trumpi ka emëruar Kevin Marino Cabrera për pozitën, pasi pati sugjeruar se SHBA-ja duhet të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë.
“Jam i lumtur të njoftoj se Kevin Marino Cabrera do të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Panama”, ka thënë ai duke shtuar se Cabrera do të përfaqësojë interesat e vendit atje.
Trumpi të mërkurën ka vazhduar të ngacmojë me idenë e zgjerimit territorial të SHBA-së, duke kritikuar operacionin në kanal dhe duke sugjeruar se SHBA-ja duhet ta marrë kontrollin mbi Grenlandën e Kanadanë.
Në një urim Krishtlindjesh, Trumpi ka pretenduar se ushtarë kinezë po operojnë në Kanalin e Panamasë.
“Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë ushtarëve të mrekullueshëm të Kinës, të cilët janë duke operuar ilegalisht në Kanalin e Panamasë (ku ne kemi humbur 38,000 njerëz në ndërtimin e tij 110 vjet më parë)...”, ka shkruar Trump.
Në të njëjtin mesazh, Trumpi e quajti kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, “guvernator”. Ai po ashtu sugjeroi tutje se Grenlanda “dëshiron që SHBA-ja të jetë atje, dhe do të jetë”.