Ish-presidenti Donald Trump ka hedhur votën e tij në Florida.
Kandidati republikan për president ka arritur në qendrën e votimit në Palm Beach me bashkëshorten, Melania Trump.
Trump ka folur pasi ka votuar. Ai është pyetur për mundësinë që as ai e as Kamala Harris të mos arrijnë 270 votat elektorale deri në fund.
“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se ndihet “shumë optimist”.
“Dëgjoj se po ia dalim shumë mirë”.
Trumpi ka shtuar se rezultati mes dy kandidatëve as që “do të jetë i afërt”, por se do të marrë kohë për t’u certifikuar.
Trump ka deklaruar se nuk beson se i duhet t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë dhe se ata duhet të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ai humb.
“Nuk kam pse ua them këtë”, ka thënë ai kur u pyet nëse do t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë.
“Por, a do t’u thoshit?” u pyet ai.
“Nuk kam pse u them atyre se nuk do të ketë dhunë. Sigurisht se nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nuk kam pse ua them. Dhe sigurisht se nuk dua dhunë, por qartazi nuk kam pse ua them. Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë njerëz që nuk besojnë në dhunë. Ndryshe nga pyetja juaj. Ju besoni në dhunë”, ka theksuar Trump.
