Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar një hartë në platformën e tij “Truth Social” të martën që shfaq Kanadanë si pjesë të SHBA-së.
Postimi vjen pas deklaratave të tij të vazhdueshme se Kanadaja do të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.

“Shumë njerëzve në Kanada u pëlqen të jenë shteti i 51-të. Shtetet e Bashkuara nuk mund të tolerojnë më deficitet e mëdha tregtare dhe subvencione që i duhen Kanadasë për të mbijetuar. Justin Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen”, shkroi Trump pas dorëheqjes së kryeministrit kanadez.
Njoftimi i Trudeaut për dorëheqjen të hënën se do të largohej nga detyra erdhi mes pakënaqësisë në rritje brenda Partisë së tij Liberale dhe rënies së popullaritetit.
Trump shkoi më tej në deklaratën e tij, duke propozuar bashkim të SHBA-së dhe Kanadasë. Ai argumentoi se një veprim i tillë do të hiqte barrierat tregtare, do të ulte taksat për kanadezët dhe do të forconte sigurinë e tyre.
“Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të ishin shumë më të ulëta dhe do të ishin plotësisht të sigurt nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Çfarë kombi i madh do të ishte!”, ka theksuar Trump.
Trudeau hodhi poshtë propozimin e Trumpit, duke deklaruar me vendosmëri se “nuk ka asnjë mënyrë që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Punëtorët dhe komunitetet në të dy vendet tona përfitojnë nga të qenit partnerët më të mëdhenj të tregtisë dhe sigurisë së njëri-tjetrit”, shkroi ai në X.
Ministrja e Punëve të Jashtme kanadeze, Melanie Joly, shkroi më parë se komentet e Trumpit ”tregojnë një mungesë të plotë të të kuptuarit të asaj që e bën Kanadanë një vend të fortë”.
“Ne kurrë nuk do të përkulemi para kërcënimeve”, shkroi ajo në “X”.