Botë

Trumpi vallëzon plot 40 minuta gjatë një tubimi në Pensilvani

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, kaloi 40 minuta duke vallëzuar gjatë një tubimi afër Philadelphias, duke bërë që kundërkandidatja e tij, Kamala Harris të shprehte shqetësim për gjendjen e tij mendore.

"Shpresoj se ai është mirë”, ka shkruar kandidatja demokrate njëherësh zëvendëspresidentja Harris në mediat sociale, duke shoqëruar pamjet për të cilat shumë ranë dakord se ishin të çuditshme, madje edhe sipas standardeve të Trumpit, raporton The Guardian.

Festivali “ad hoc” i muzikës në Pensilvani ndodhi pasi dy anëtarëve të audiencës gjatë tubimit në ambient të mbyllur u kishte rënë të fikët, me sa duket për shkak të vapës.

Kur Trumpi kërkoi kondicioner ajri, moderatori i ngjarjes, guvernatori i Dakotës së Jugut, Kristi Noem, u përpoq t'i mbante gjërat politike me një shaka që aludonte për inflacion të lartë. 

Por Trumpi më pas vendosi të ndryshonte atmosferën.

“Të mos bëjmë më pyetje. Le të dëgjojmë vetëm muzikë. Le ta shndërrojmë këtë në muzikë. Kush dreqin dëshiron të dëgjojë pyetje, apo jo?”, ka deklaruar Trump.

Pas kësaj, pasoi një listë me nëntë këngë, e cila përfshinte të preferuarat e mitingjeve të Trumpit, të tilla si “It's A Man's, Man's, Man's World”, “Village People's YMCA”, “Nothing Compares 2 U” nga Sinead O'Connor dhe interpretimin e Ave Maria nga Luciano Pavarotti.

Këngët dëgjoheshin ndërsa Trumpi qëndronte në mes të skenës duke u lëkundur ose duke kërcyer butësisht.