Botë

Trumpi thotë se “mori një plumb për demokracinë”

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë në një tubim në Michigan se ai "mori një plumb për demokracinë” kur iu bë atentati në një tubim në Pensilvani javën e kaluar.

I ndjekur nga mijëra njerëz, ky ishte tubimi i parë i Trumpit me kandidatin e tij për zëvendëspresident, J.D. Vance, dhe i pari që kur i mbijetoi atentatit, raporton BBC.

Trumpi ka deklaruar se demokratët e kanë akuzuar atë si "një kërcënim për demokracinë" duke shtuar se ishte gati ta "marrë përsëri Shtëpinë e Bardhë".

Një hetim është duke u zhvilluar për sulmin e fundjavës së kaluar, si pasojë e të cilit Trumpi u plagos në vesh. 

Shumë prej atyre që morën pjesë në tubimin në shtetin e Miçiganit kanë thënë për BBC-në se përpjekja për vrasje, e cila la të vdekur një pjesëtar të audiencës dhe plagosi dy të tjerë, nuk do t'i ndalonte ata të tregonin mbështetje për kandidatin presidencial republikan.

Disa thanë se erdhën pikërisht për shkak të sulmit ndaj tij.

Ndryshe nga ai tubim, i mbajtur në Butler, Pensilvani, tubimi në “Grand Rapids” të Michiganit ishte në ambiente të mbyllura, duke ua mundësuar oficerëve të sigurisë të monitoronin me kujdes çdo hyrje dhe të ndalonin kërcënimet nga jashtë tubimit.

Në fjalimin e tij, Trumpi falënderoi "mijëra e mijëra" njerëz që erdhën për ta parë atë "pothuajse saktësisht" një javë pas atentatit.

"Unë qëndroj para jush vetëm me dëshirën e Zotit të plotfuqishëm”, ka deklaruar ai, duke përsëritur besimin e tij se ndërhyrja hyjnore e shpëtoi atë nga vdekja.