Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbajtur të martën në mbrëmje një fjalim të gjatë në Capitol të SHBA-së të kontrolluar nga partia e tij Republikane, gjatë të cilit ka thënë se ky është vetëm fillimi i tij në mandatin e dytë si president.

Ai ka deklaruar se për 43 ditë ka arritur më shumë se sa kanë arritur shumica e administratave të tjera për një ose dy mandate, raporton BBC.

Ne kemi arritur më shumë në 43 ditë sesa shumica e administratave kanë arritur në katër ose tetë vjet, dhe ne sapo kemi filluar”, ka deklaruar ai në fjalimin e tij të parë para Kongresit për mandatin e tij të dytë.

Trumpi ka theksuar atë që e quajti një ndryshim në disponimin kombëtar drejt “krenarisë” dhe “besimit”. Ai e ka krahasuar veten me George Washingtonin dhe mburrej për madhësinë e fitores së tij elektorale.

Ai ka përmendur një listë të gjatë arritjesh të prekshme, duke përfshirë qindra urdhra dhe veprime ekzekutive, ngrirjen e ndihmës së huaj, nivele më të ulëta të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe tërheqje nga organizatat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan ka folur gjithashtu gjatë për ndalimin e sportistëve transgjinorë në sportet e grave dhe lëvizjet për të hequr “ideologjinë e zgjuar” nga shkollat dhe ushtria amerikane.

Ndërkohë, demokratët të cilët përbënin gjysmën e audiencës, qëndruan në heshtje teksa presidenti i fajësoi vazhdimisht ata, ish-presidentin Joe Biden dhe “të çmendurit e majtë radikalë” për të gjitha “sëmundjet e kombit”.

Disa prej tyre kanë reaguar duke mbajtur lart tabela të vogla të zeza me fjalët “e pavërtetë” dhe “gënjeshtra”.

Pas rreth gjysmë ore të paraqitjes së veprimeve të tij të para, Trumpi ka përmendur edhe detyrat që i duhen ende për të përmbushur. Kjo përbënte pjesën më të madhe të fjalimit që ka zgjatur më shumë se një orë e 40 minuta.

Ndërsa ai ka thënë se “optimizmi i biznesit të vogël” ishte rritur, ka fajësuar Bidenin për gjendjen aktuale të ekonomisë, duke përfshirë çmimet e larta të vezëve.

Ai ka premtuar “të shpëtojë” ekonominë dhe ta bëjë “lehtësimin dramatik dhe të menjëhershëm për familjet që punojnë” përparësinë e tij më të lartë.

Trumpi madje ka ftuar Elon Muskun në audiencë dhe ka thënë se Departamenti i tij i Efiçencës Qeveritare (Doge) do të reduktonte inflacionin duke ulur shpenzimet e kota dhe mashtrimet.

Trumpi ka përmendur po ashtu premtimet për përparim të mëtejshëm në zbatimin e imigracionit dhe la mbrojtur politikat e tij tarifore, duke thënë se ato po “mbronin shpirtin e vendit”, edhe nëse shumica e ekonomistëve paralajmërojnë se do të çojnë në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë.

Shtatë momente nga fjalimi i madh i Trumpit

1 muaj më parë / 5 mar 2025 12:34
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është adresuar Kongresit në SHBA për herë të parë që kur ka marrë detyrën për herë të dytë në janar, duke deklaruar se “ëndrra amerikane është e pandalshme”.

Në fjalimin më të gjatë të një presidenti para ligjvënësve, ai ka paraqitur vizionin për mandatin e dytë, derisa Republikanët kanë duartrokitur gjashtë javët e para të këtij mandati që ka riformuluar politikat e brendshme dhe të jashtme.

Gjatë fjalimit, Trumpi është penguar nga Demokratët dhe ai i ka provokuar gjatë pjesës kryesore të fjalimit.

Presidenti republikan ka marrë veprime për të tkurrur forcën punëtore federale dhe ka vendosur të largojë imigrantët ilegalë, teksa ka vendosur tarifa ndaj partnerëve më të mëdha tregtarë të SHBA-së dhe ka dridhur aleancën trans-atlantike mbi luftën në Ukrainë.

Këtu janë shtatë momente kyçe të fjalimit:

“Faleminderit, Elon”

Gjatë fjalimit Trumpi ka përmendur edhe këshilltarin e tij multimiliarder, Elon Musk, i cili udhëheq me Departamentin e sapokrijuar për Efiçiencë Qeveritare (DOGE), e cila ka për detyrë tkurrjen e shpenzimeve qeveritare. Deri tani Eloni ka larguar nga puna mijëra punëtorë federalë, ka ndalur miliarda dollarë në ndihma jashtë vendit dhe ka ndaluar programe në të gjithë vendin.

“Faleminderit, Elon. Ai po punon shumë, ai nuk kishte nevojë për këtë”, ka deklaruar Trumpi.

Po ashtu Trumpi ka përmendur edhe shembuj të shpenzimeve të panevojshme, që Musku i ka ndaluar.

“Tetë milionë dollarë për të promovuar LGBTQI+ në vendin afrikan të Lesotos, për të cilin askush nuk ka dëgjuar”, ka shtuar Trumpi.

Sipas DOGE-t ata kanë kursyer 105 miliardë dollarë deri tani, por kjo shifër nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Faturat e publikuar arrijnë vlerën 18.6 miliardë dollarë të kursyera.

Demokratët përqeshin presidentin

Brenda pesë minutave të adresimit, kongresisti nga Teksasi, Al Green është shoqëruar jashtë Dhomës, pasi nuk i ka ndjekur udhëzimet nga kryetari i Kongresit, i cili ka kërkuar nga ai të mos e pengojë presidentin.

Derisa Trumpi po fliste, Demokratët kanë mbajtur shenja që shkruanin “Kjo është gënjeshtër”.

Me Republikanët në kontroll të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit dhe Senatit, Demokratët kanë qenë pa udhëheqës derisa kanë punuar për të kundërshtuar aktivitetet nga administrata e Trumpit.

“Nuk ka diçka që unë mund të them që mund t’i bëjë ata të lumtur”, ka deklaruar Trumpi, derisa shihej që po shijonte përplasjen me Partinë Demokratike.

“Dhuratë e paprecedentë për shokët e tij miliarderë. Ai mund të na çojë drejt në recension”, ka akuzuar presidentin Trump, përfaqësuesja e Demokratëve, Elissa Slotkin, kongresiste për herë të parë nga Michigani.

Një “letër e rëndësishme” nga Zelensky

Trumpi ka deklaruar se gjatë ditës ka pranuar një “letër të rëndësishme” nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, që përshtatej me publikimin e Zelenskyt në rrjetet sociale.

Presidenti i Ukrainës ka deklaruar se është i gatshëm për të punuar me “udhëheqësinë e fortë” të Trumpit për të ndaluar luftën dhe të “vijë në tavolinën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme më afër”.

“E vlerësoj që ai dërgoi këtë letër”, u ka thënë Trumpi ligjvënësve.

Letra erdhi pasi Trumpi ka ndaluar të gjitha ndihmat ushtarake për Ukrainën, pas takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me liderin ukrainas, me 28 shkurt.

Lufta tregtare do të shkaktojë “pak shkundje”

Pas ditës së dytë të shkundjeve të tregut, Trumpi ka larguar opsionin e “rënies ekonomike” nga lufta tregtare që ai ka filluar këtë javë. Këtu përfshihen tarifa 25% ndaj produkteve dhe shërbimeve nga Meksika dhe Kanadaja, dhe 10% shtesë në importet nga Kina.

Por për dallim nga pjesët e tjera të fjalimit, kjo pjesë nuk u prit mirë nga një pjesë e partisë së tij Republikane, që nënkupton se taksat në importe të Trumpit kanë ndarë partinë.

“Tarifat janë për të bërë Amerikën të pasur përsëri dhe për të bërë Amerikën e madhe  përsëri. Dhe po ndodh, dhe do të ndodhë shpejt. Do të ketë pak shkundje, por ne jemi në rregull me atë”, ka deklaruar Trumpi.

Trumpi ka shtuar se tarifat reciproke për partnerët tregtarë të SHBA-së do të hyjnë në fuqi me 2 prill.

Më herët gjatë ditës, sekretari i Thesarit në SHBA, Howard Lutnick, ka deklaruar për Fox Business se Trumpi mund të njoftojë për një marrëveshje tregtare me Meksikën dhe Kanadanë.

Fajësimi i Bidenit për çmimet e vezëve

Javët e fundit çmimi i vezëve është rritur shumë. Trumpi gjatë fushatës kishte premtuar ulje të inflacionit pas kthimit në detyrë, kurse tani ka gjetur një fajtor për këto çmime.

“Siç e dini, ne trashëguam, nga administrata e fundit, një katastrofë ekonomike dhe një makth inflacioni. Joe Biden veçanërisht ka lënë çmimet e vezëve të dalin jashtë kontrollit – dhe jemi duke punuar shumë për të ulur përsëri çmimin”, ka deklaruar Trumpi.

Çmimet e vezëve janë rritur nën administratës së Bidenit, pasi administrata e tij ka udhëzuar që miliona zogj të eliminohen gjatë vitit të kaluar pas përhapjes së gripit të zogjve, por çmimet kanë vazhduar të rriten edhe në presidencën e Trumpit.

Ëndrra e një fëmije bëhet realitet

Një nga momentet më virale të fjalimit. Trumpi e ka befasuar një fëmijë të diagnostikuar me kancer në tru për të cilin presidenti tha se dëshironte të bëhej polic.

Trumpi ka njoftuar se, 13-vjeçari DJ Daniel, do të emërohej nga drejtori i ri i Shërbimit Sekret, Sean M. Curran, si anëtar i forcave policore.

Daniel i habitur, ka pranuar një distinktiv të Shërbimit Sekret nga Currani.

Një qendër strehimi nga zjarret natyrore merr emrin e viktimës së vrasjes

Gjatë fjalimit, Trumpi ka njoftuar se ka riemëruar një qendër strehimore nga zjarret natyrore në Teksas me emrin e një vajze nga Hustoni që dyshohet se është vrarë nga imigrantë ilegalë.

Jocelyn Nungaray, 12-vjeçe, ishte gjetur e vdekur në qershor të 2024-tës pasi ishte e raportuar e humbur. Alexis Nungaray, nëna e saj, ishte e ftuar e zonjës së parë, Melania Trump gjatë fjalimit presidencial.

Gjatë adresimit të inaugurimit në janar, Trumpi ka premtuar se administrata e tij do të fillojë të dëbojë miliona imigrantë me të kaluar kriminale.

Numri i kalimeve ilegale të imigrantëve në kufirin jugor ka rënë muajin e kaluar në nivelin më të ulët në 25 vjetët e fundit.

Por presidenti republikan raportohet se ka qenë i frustuar me kohëzgjatjen e dëbimeve, që deri tani ka dështuar të kalojë numrin e të dëbuarve gjatë administratës së Bidenit vitin e kaluar.

Trumpi e bën “agjent” të Shërbimit Sekret 13-vjeçarin që i mbijetoi kancerit

1 muaj më parë / 5 mar 2025 09:37
Trumpi e bën “agjent” të Shërbimit Sekret 13-vjeçarin që i mbijetoi kancerit

Presidenti amerikan Donald Trump gjatë fjalimit në Kongres e ktheu vëmendjen te Devarjaye “DJ” Daniel, një 13-vjeçar që aspironte të bëhej oficer policie, por u diagnostikua me kancer në tru në vitin 2018. Ai gjithashtu u bë anëtar nderi i Shërbimit Sekret të SHBA-së.

“Sonte na bashkohet një djalë i ri që e do vërtet policinë tonë”, ka thënë Trumpi pasi lavdëroi oficerët e zbatimit të ligjit të Amerikës.

“Mjekët i dhanë maksimumi pesë muaj jetë. Kjo ishte më shumë se gjashtë vjet më parë. Që nga ajo kohë, DJ dhe babai i tij kanë qenë në kërkim për të realizuar ëndrrën e tij. Dhe sonte, DJ, ne do t'ju bëjmë nderin më të madh nga të gjithë. Unë po i kërkoj drejtorit tonë të ri të Shërbimit Sekret, Sean Curran, që t'ju bëjë zyrtarisht agjent të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi presidenti i SHBA-së.

DJ u betua si oficer nderi i zbatimit të ligjit në agjencitë policore në të gjithë vendin.

13-vjeçari reagoi i habitur kur Trumpi i bëri me dije se drejtori i Shërbimit Sekret do t’ia dorëzojë ID-në si agjent para se babai i tij ta ngrinte për ta parë turmën. DJ ngriti me krenari ID-në e re dhe u prit me duartrokitje e brohoritje.

Gjesti u vlerësua edhe nga demokratët.

Pas këtij momenti të ngrohtë, Trumpi vazhdoi të diskutojë për shkallën e kancerit të fëmijërisë, duke i bërë thirrje sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., që të “largojë toksinat nga mjedisi ynë, helmet nga furnizimi ynë ushqimor dhe t'i mbajmë fëmijët tanë të shëndetshëm dhe të fortë”.

VIDEO:

Kongresisti u përzu nga Capitoli gjatë fjalimit të Trumpit

1 muaj më parë / 5 mar 2025 08:38
Al Green

Vetëm pesë minuta pasi të niste fjalimin e gjatë para Kongresit, presidenti amerikan Donald Trump u përball me kundërshtime nga kongresistët demokratë. Al Green, kongresisti nga Teksasi nisi të bërtiste kundër Trumpit.

E nga kryetari i Kongresit u vendosi që ai të largohej nga salla.

Fillimisht Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i tërhoqi vërejtjen kongresistit.

“Zoti Green uluni”, i tha tre herë ai pasi kongresisti pengonte fjalimin e presidentit.

Më pas, Johnson ftoi sigurimin për ta larguar kongresistin.

Trumpi përmend letrën e Zelenskyt dhe dëshirën për aneksimin e Grenlandës

1 muaj më parë / 5 mar 2025 08:25
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur dëshirën e tij për të anekesuar ishullin më të madh në botë, Grenlandën, në fjalimin e tij të gjatë në Capitolin e SHBA-së. 

Ndonëse politika e jashtme rrallëherë është në qendër në këto fjalim presidenciale, Trumpi ka premtuar po ashtu kontrollin amerikan të Kanalit të Panamasë.

Presidenti ka folur më gjerësisht për negociatat me Rusinë për paqen në Ukrainë. 

Ai ka lexuar një letër që ai ka thënë se sapo kishte marrë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cila ishte e ngjashme me një mesazh që lideri ukrainas ka postuar në X të martën.

“Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat. Ne vërtet vlerësojmë se sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj”, ka cituar Trumpi fjalët në letrën e Zelenskyt.

Ai ka shtuar se Zelensky kishte thënë se ishte gati të nënshkruante një marrëveshje për mineralet dhe sigurinë "në çdo kohë që është e përshtatshme për ju".

"Unë e vlerësoj këtë”, u ka thënë Trump kongresistëve, duke lënë të kuptohet për një zbutje të mundshme të ashpërsisë midis dy liderëve.

Fjalimi i Trumpit të martën ka vendosur një rekord për fjalimin më të gjatë presidencial në Kongres.