Botë

Trumpi s’përjashton përdorimin e ushtrisë për të marrë nën kontroll Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Përditësim (18:43) - Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka deklaruar të martën se nuk do të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës, pasi ai deklaroi se kontrolli i SHBA-së mbi të dyja është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Duke folur me gazetarët më pak se dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar, dhe ndërsa një delegacion ndihmësish dhe këshilltarësh që përfshin djalin e tij, Donald Trump Jr, është në Grenlandë, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të ushtrisë amerikane për të siguruar të dy territoret, raporton AP.

"Unë nuk do të angazhohem për këtë”, ka thënë ai kur është pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. 

“Mund të ndodhë që duhet bërë diçka. Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, ka shtuar Trumpi.

Grenlanda është një territor autonom i Danimarkës, një aleat i vjetër i SHBA-së dhe një anëtar themelues i NATO-s.

Republikani Trump ka kërkuar po ashtu që Kanadaja të bashkohet me Shtetet e Bashkuara. 

Ai ka thënë se nuk do të përdorte forcën ushtarake për ta bërë këtë, duke thënë se do të mbështetej në "forcën ekonomike".

Trumpi ka deklaruar po ashtu se dëshiron të riemërtojë Gjirin e Meksikës në "Gjiri i Amerikës".

“Ne do të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Kjo mbulon shumë territor, Gjiri i Amerikës - sa emër i bukur. Dhe është i përshtatshëm”, është shprehur Trump teksa fliste para gazetarëve në Mar-a-Lago.

Trumpi përsëriti thirrjen e tij për Meksikën që të ndihmojë në ndalimin e imigracionit të paligjshëm përtej kufirit Meksikë-SHBA, dhe premtimin e tij për të vendosur tarifa ndaj Meksikës.


Trumpi ripërsërit kërcënimin e tij për pengjet izraelite që po mbahen në Gaza

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, ka paralajmëruar sërish se nëse pengjet që ende mbahen në Gaza nuk lirohen deri në kohën e inaugurimit të tij, më 20 janar, "i gjithë ferri do të shpërthejë në Lindjen e Mesme".

“Nuk do të jetë mirë për Hamasin dhe nuk do të jetë mirë, sinqerisht, për askënd. I gjithë ferri do të shpërthejë. Nuk duhet ta them më, por kjo është ajo që është”, ka thënë Trumpi, duke shtuar se nuk do të duhej të ndodhte kurrë sulmi i 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit, raporton CNN. 

Steve Witkoff, i zgjedhuri i Trumpit për të shërbyer si i dërguar i Posaçëm për Lindjen e Mesme gjatë administratës së tij, ka thënë se negociatorët "po bëjnë shumë përparim" në bisedimet për një marrëveshje për lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza.

Witkoff ka deklaruar të martën se do të ketë lajme të mira deri në inaugurimin e Trumpit. 

Witkoff ka bërë të ditur po ashtu se do të kthehet të mërkurën në Doha, atje ku negociatat po zhvillohen.

“Është presidenti, reputacioni i tij, gjërat që ai ka thënë, ato që po drejtojnë këto negociata, dhe kështu shpresojmë se gjithçka do të funksionojë dhe ne do të shpëtojmë disa jetë”, ka thënë Witkoff.