Botë

Trumpi s’ngutet për t’u dhënë fund tarifave me BE-në

Trump - Meloni

Foto: Associated Press

Edhe pse ka shprehur optimizëm se një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian do të arrihet, presidenti amerikan Donald Trump nuk është bindur që të ndryshojë mendim për këtë çështje tash. Pas takimit me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ai ka thënë se tarifat po e pasurojnë Amerikën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të enjten se nuk është “për ngut” për të arritur ndonjë marrëveshje tregtare, sepse tarifat e tij po gjenerojnë të ardhura. Megjithatë ai ka sugjeruar gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren italiane, Giorgia Meloni se arritja e dakordimit me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë nuk është e zorshme.

Tek iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para takimit të tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidenti amerikan Donald Trump ka garantuar se marrëveshja tregtare me BE-në do të ndodhë.

“Do të ketë një marrëveshje tregtare, 100%... Sigurisht se do të ketë një marrëveshje tregtare, Ata duan shumë të bëjnë një të tillë dhe ne do të bëjmë një marrëveshje tregtare. E pres plotësisht, por do të jetë një marrëveshje e drejtë”, ka deklaruar Trumpi.

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk është bindur nga Meloni për të ndryshuar mendim për tarifat.

“Jo tarifat po na bëjnë të pasur. Po humbnim shumë para në kohën e Bidenit. Dhe tani e gjithë vala është kthyer”, ka shtuar ai.

Ai e ka minimizuar mundësinë e një afati kohor që në vetvete përshpejton mbylljen e  marrëveshjeve, duke shtuar se çdo marrëveshje ka për t’u arritur “në kohën e caktuar”.

“S’jemi për nxitim”, ka thënë Trumpi, duke e lënë të nënkuptueshme se ai ka përparësi në raport me shtetet e tjera sepse, sipas tij, ato kërkojnë qasje te konsumatorët amerikanë.

Presidenti amerikan ka thënë më tutje se “janë shumë vende që duan të arrijnë marrëveshje”.

“Sinqerisht, ata duan të arrijnë marrëveshje më shumë sesa unë”, ka thënë Trumpi.

Takimi i Melonit dhe Trumpit ishte një test i rolit të saj si “ndërmjetëse” midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Meloni ishte liderja e parë evropiane që vizitoi Washingtonin pas shpalljes së pezullimit të tarifave prej 20 për qind ndaj importeve evropiane.

Meloni e nisi takimin si udhëheqëse e Italisë, mirëpo ajo ishte e veshur edhe me përgjegjësinë e përfaqësimit të BE-së në njëfarë kuptimi, në frikën gjithmonë e në rritje për recesion të nivelit botëror. Administrata Trump i ka akuzuar aleatët evropianë se nuk kanë bërë mjaftueshëm në fushën e sigurisë kombëtare e në ndërkohë i kanë kërcënuar ekonomitë e tyre me tarifa.

Ajo u mundua t’i paraqiste Shtetet e Bashkuara dhe Evropën si aleatë natyralë të civilizimit perëndimor dhe ka thënë se është e rëndësishme që palët “të provojnë të ulen dhe të gjejnë zgjidhje” për tensionet rreth tregtisë dhe sigurisë kombëtare.

Nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, Meloni, ka bërë të ditur për gazetarët se presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar ftesën e saj për të vizituar Romën, e që sipas saj kjo është mundësi e mirë për t’u takuar edhe me liderët e tjerë evropianë.

“Qëllimi im është ta bëj Perëndimin të madhërishëm përsëri”, i ka thënë Meloni Trumpit.

BE-ja është duke e mbrojtur atë që e quan si “marrëdhënia më e rëndësishme komerciale në botë”, ku tregtia vjetore me SHBA-në arrin në 1.6 trilionë euro (1.8 trilionë dollarë).