Botë

Trumpi shtyen përsëri afatin për mbylljen e TikTokut

Trump - tiktok

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka zgjatur për 75 ditë afatin për kompaninë kineze “ByteDance” për t’i shitur asetet amerikane të aplikacionit të popullarizuar TikTok tek një blerës jokinez, ose për t’u përballuar me ndalesë, e cila ishte dashur të hynte në fuqi që në fillim të vitit.

“Marrëveshja kërkon më shumë punë për t’u siguruar që të gjitha miratimet e nevojshme të firmosen”, ka shkruar Trump në rrjetin social “Truth Social”, duke shpjeguar pse po e zgjatë afatin që e vendosi në janar, e që do të duhej të skadonte të shtunën. “Shpresojmë të vazhdojmë të punojmë në mirëbesim me Kinën, të cilën e kuptoj që nuk është shumë e lumtur për tarifat tona reciproke”.

Kina tani përballet me një tarifë prej 54 për qind për mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara, pasi Trumpi njoftoi se do t’i rrisë ato me 34% këtë javë, duke e shtyrë qeverinë kineze të hakmerret të premten.

Trumpi ka thënë se do të ishte i gatshëm t’i ulte tarifat ndaj Kinës për të arritur një marrëveshje me kompaninë që ka në pronësi TikTokun, “ByteDance”, në mënyrë që të shitet aplikacioni i përdorur prej 170 milionë amerikanëve.

Një zëdhënës i “ByteDance” ka thënë të premten se kompania “ka qenë në bisedime me qeverinë e SHBA-së për një zgjidhje të mundshme për TikTokun në SHBA”. “Nuk është realizuar akoma një marrëveshje. Ka çështje kyçe që duhet të zgjidhen. Çdo marrëveshje do të jetë subjekt i miratimit sipas ligjit kinez”, ka thënë ai.

Rrjeti i popullarizuar social ishte rikthyer përsëri në dispozicion në dyqanet e aplikacioneve të Appleit dhe Google Playit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit fillestar të presidentit amerikan, Donald Trump, për të shtyrë ndalimin e platformës me pronësi kineze deri më datë 5 prill.

Për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare, Dhoma e Përfaqësuesve vendosi që TikToku duhet të ndalohet ose të kalohet në pronësi të pronarëve jokinezë për të operuar në këtë treg.