Botë

Trumpi shpreh dëshirën për t’u bërë Papë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklaratë me nota humori, duke thënë se do të ishte “zgjedhja e tij numër një” për të qenë udhëheqësi i ardhshëm i Kishës Katolike.

“Do të doja të isha Papë”, u shpreh ai me buzëqeshje përballë një gazetari të martën, përpara se të jepte opinionin rreth asaj se kush duhet ta marrë realisht këtë rol të lartë shpirtëror.

Trumpi, miliarder që është martuar tre herë dhe aktualisht mjaft i zënë me detyrat si president i SHBA-së, natyrisht që nuk përputhet me kriteret tradicionale për t’u zgjedhur kreu i Kishës Katolike — një institucion afro 2000-vjeçar që ndodhet në një moment kyç pas vdekjes së Papa Françeskut këtë muaj.

I pyetur se kë do të donte të shihte si pasardhës të Papa Françeskut, Trump u përgjigj: “Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë”, por shtoi me nënqeshje: “Duhet të them se kemi një kardinal nga një vend i quajtur New York, që është mjaft i mirë, kështu që do të shohim se çfarë ndodh”.

Ai i referohej kardinalit Timothy Dolan, i cili megjithatë nuk konsiderohet si një ndër emrat kryesorë në listën e mundshme për ta pasuar Françeskun. Deri më sot, SHBA-ja nuk ka pasur kurrë një Papë.