Ish-presidenti i SHBA-së, që bën fushatë për ta rimarrë timonin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024, do ta apelojë vendimin, tha zëdhënësi i tij, Steven Cheung. Trumpi nuk do të duhet t’ia paguajë dëmshpërblimin Carrollit për aq kohë sa çështja është në apel
Donald Trump abuzoi seksualisht me kolumnisten e revistave, E. Jean Carroll në vitet 1990 dhe më pas shpifi duke e quajtur gënjeshtare, vendosi juria të martën dhe i ndau 5 milionë dollarë dëmshpërblim viktimës.
Ish-presidenti i SHBA-së, që bën fushatë për ta rimarrë timonin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024, do ta apelojë vendimin, tha zëdhënësi i tij, Steven Cheung. Trump nuk do të duhet të paguajë për aq kohë sa çështja është në apel.
Carroll, 79 vjeçe, dëshmoi gjatë gjyqit civil se Trumpi, 76 vjeç, e përdhunoi atë në dhomën e zhveshjes së një dyqani Bergdorf Goodman në Manhattan në 1995 ose 1996, më pas dëmtoi reputacionin e saj, duke shkruar në një postim të tetorit 2022 në platformën e tij Truth Social se pretendimet ishin një "punë e plotë mashtrimi", "një mashtrim" dhe "një gënjeshtër".
Carroll mbajti duart me avokatët e saj ndërsa lexohej vendimi.
Ajo doli nga gjykata me avokaten e saj Roberta Kaplan, e buzëqeshur dhe e veshur me syze dielli dhe hyri në një makinë pa folur me gazetarët.
Juria prej nëntë anëtarësh në Gjykatën federale të Manhatanit vendosi për 5 milionë dollarë si dëmshpërblim dhe ndëshkim. Edhe pse vërtetimi i abuzimit seksual ishte i mjaftueshëm për ta vërtetuar përgjegjësinë e Trumpit, juria nuk zbuloi se ai e kishte përdhunuar atë.
Juria diskutoi për pak më pak se tre orë përpara se ta refuzonte mohimin e Trumpit se ai e kishte sulmuar Carrollin. Për ta shpallur fajtor, jurisë prej gjashtë burrash dhe tri grave iu kërkua të arrinte një vendim unanim.
Trumpi ka munguar gjatë gjithë gjyqit që filloi më 25 prill. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e quajti vendimin një “turp” dhe tha: “Nuk e kam absolutisht asnjë ide se kush është kjo grua”.
President nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trump është kryesuesi në sondazhet e opinionit për nominimin presidencial republikan dhe ka treguar një aftësi të çuditshme për të përballuar polemika që mund të fundosin politikanë të tjerë.
Duket e pamundur në klimën e polarizuar politike të Amerikës që verdikti civil të ketë ndikim te mbështetësit kryesorë të Trumpit, të cilët i shohin problemet e tij ligjore si pjesë e një përpjekjeje të bashkërenduar nga kundërshtarët për ta minuar.
"Njerëzit që janë kundër Trumpit do të mbeten të tillë, votuesit kryesorë pro-Trumpit nuk do të ndryshojnë, sikur se edhe ata me dy mendje që thjesht nuk mendoj se do të preken nga kjo lloj gjëje", tha Charlie Gerow, strateg republikan në Pensilvani.
Trumpi ka përmendur gjyqin e Carroll në emailet për mbledhjen e fondeve të fushatës si dëshmi të asaj që ai e portretizon si një komplot demokratik për ta dëmtuar atë politikisht.
Shifrat e tij në sondazhe u përmirësuan pasi ai u akuzua në New York në mars për falsifikimin e të dhënave të biznesit për një pagesë të parave të heshtura ndaj një ylli porno përpara fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Kjo aktakuzë, e ngritur në Gjykatën e shtetit të New Yorkut, e bëri atë presidentin e parë të SHBA-së në të kaluarën apo të tashmen që akuzohet penalisht. Trumpi është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.