Botë

Trumpi shfuqizon sanksionet ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shfuqizuar të hënën sanksionet e vendosura nga ish-administrata Biden ndaj grupeve dhe individëve të kolonëve të ekstremit të djathtë izraelitë, të akuzuar për përfshirje në dhunën kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, thuhet në faqen e re të Shtëpisë së Bardhë.

Faqja e internetit ka thënë se Trumpi ka anuluar Urdhrin Ekzekutiv 14115 të lëshuar më 1 shkurt 2024, i cili autorizonte vendosjen e sanksioneve të caktuara "për personat që minojnë paqen, siguria dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor”.

Vendimi i Trumpit është një përmbysje e një veprimi të madh politik nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, e cila kishte vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të shumta kolonësh izraelitë, duke ngrirë asetet e tyre në SHBA dhe në përgjithësi duke i ndaluar amerikanët të merren me ta.

Teksa vëmendja e botës është përqendruar në luftën në Gaza, dhuna në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe grabitjet e tokave në territorin e pushtuar, kanë ngritur shqetësimin tek disa prej aleatëve perëndimorë të Izraelit.

Sanksionet e SHBA-së ndaj kolonëve u vendosën pasi administrata Biden i kërkoi në mënyrë të përsëritur qeverisë izraelite që të merrte masa për t'i mbajtur ekstremistët përgjegjës për veprimet që Uashingtoni beson se prishin shpresat për një zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Që nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1967, Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor të lumit Jordan, të cilin palestinezët e duan si thelbin e një shteti të pavarur. 

Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebreje, të cilat shumica e vendeve i konsiderojnë të paligjshme. Izraeli e kundërshton këtë dhe citon lidhjet historike dhe biblike me tokën.

Qasja e Trumpit ndaj vendbanimeve ishte dukshëm e ndryshme. Gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019, Trumpi kishte braktisur qëndrimin e gjatë të SHBA-së se vendbanimet janë të paligjshme përpara se kjo të ritheksohej nga Bideni.