Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila sot la në fuqi ligjin për mbylljen e TikTokut, “ishte i pritshëm dhe të gjithë duhet ta respektojnë”.
“Vendimi im për TikTokun do të merret në të ardhmen e afërt, por duhet të kem kohë për të shqyrtuar situatën”, ka thënë Trump në një mesazh në platformën e tij “Truth Social”.
Ndalimi i TikTokut në SHBA do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar, përveç nëse kompania kineze ByteDance e shet rrjetin social te një kompani amerikane.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ligji i miratuar vitin e kaluar në Kongres, i votuar edhe nga republikanët edhe nga demokratët, nuk përbën shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e fjalës.
Trumpi, i cili merr detyrën më 20 janar, kundërshton ndalimin e TikTokut dhe beson se ishte ky aplikacion që e ndihmoi të fitojë votuesit e rinj në garën presidenciale në vitin 2024, raportoi Reuters.
Këshilltari i ri i Trumpit për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, ka thënë të mërkurën se presidenti i zgjedhur synon të ndërmarrë hapa për të ruajtur TikTokun kur të kthehet në detyrë.