Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë që tarifa ndaj mallrave prej Meksikës do të pezullohet deri më 2 prill.
Ai nuk ka bërë të ditur nëse masa vlen edhe për Kanadanë, por Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, ka njoftuar të enjten se shpreson që ajo të vlejë për të dy fqinjët e SHBA-së.
Vendimi i Trumpit u mor pas bisedës që pati me presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum.
Ai ka thënë se këtë e ka bërë për hir të respektit për Sheinbaumin.
Në anën tjetër, Sheinbaum e ka cilësuar të shkëlqyeshme bisedën telefonike me Trumpin.
Tarifa ishte prej 25 për qind në shumicën e mallrave që vinin nga Meksika. Është hera e dytë që shtyhet masa, prej fillimit të muajit shkurt.
Trumpi i ka vënë tarifa edhe produkteve nga Kanadaja në të njëjtën shkallë, ndërsa i ka shtuar 10 për qind tarifës ndaj Kinës.