Në një rikthim të zhurmshëm në qendër të vëmendjes, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka rihapur debate të zjarrta mbi pretendimet e tij për Grenlandën, Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë. Në deklarimin e fundit, Trumpi e cilësoi kontrollin mbi Grenlandën si “domosdoshmëri strategjike” për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ndërsa bëri thirrje për rikthimin e kanalit historik në duart amerikane
Së pari ishte Kanadaja, pastaj Kanali i Panamasë. Tash presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëri dëshiron një vend tjetër, Grenlandën.
Presidenti i zgjedhur po i përdor thirrjet e pasuksesshme, të cilat i ka bërë gjatë mandatit të tij të parë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta blejnë Grenlandën nga Danimarka, duke ia shtuar atë listës së vendeve aleate që “po i ngacmon”, para se ta rimarrë detyrën më 20 janar.
Në një njoftim të së dielës, ku po emëronte ambasadorin në Danimarkë, Trumpi ka shkruar se, “për arsye të sigurisë kombëtare dhe lirisë nëpër botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen sikur pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është nevojë absolute”.
Idetë e reja të Trumpi mbi Grenlandën vijnë pasi presidenti i zgjedhur ka sugjeruar gjatë fundjavës se SHBA-ja duhet ta rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, nëse nuk ndërmerret diçka për t’i ulur kostot në rritje të dërgesave, të nevojshme për ta përdorur kalimin që lidh oqeanet Atlantik dhe Paqësor.
Ai gjithashtu ka sugjeruar se Kanadaja është bërë shteti i 51-të i SHBA-së dhe i është referuar kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, si “guvernator” i “Shtetit të Madh të Kanadasë”.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ndodhet mes oqeaneve Atlantik dhe Arktik. Është 80 për qind e mbuluar nga një shtresë të akullit dhe është shtëpi e një numri të madh të bazave ushtarake amerikane.
Ajo e ka fituar autonominë nga Danimarka në vitin 1979 dhe udhëheqësi i Qeverisë, Múte Bourup Egede, ka sugjeruar se thirrjet e fundit të Trumpit për kontrollin amerikan do të ishin aq të pakuptimta sa ato të bëra në mandatin e parë.
“Grenlanda është e jona. Ne nuk jemi për shitje dhe nuk do të jemi për shitje”, ka thënë ai në një deklaratë. “Ne nuk duhet ta humbasim luftën tonë afatgjatë për liri”.
Trumpi ka anuluar vizitën e vitit 2019 në Danimarkë, kur oferta e tij për ta blerë Grenlandën është refuzuar nga Kopenhaga.
Ai gjithashtu ka sugjeruar të dielën se SHBA-ja “po rripet” në Kanalin e Panamasë.
“Nëse principet, qofshin morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor nuk ndiqen, atëherë ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë t’iu rikthehet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësisht, shpejt dhe pa diskutim”, ka thënë ai.
Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, u është përgjigjur sugjerimeve në një video duke thënë se “çdo metër katror i Kanalit i takon Panamasë dhe do të vazhdojë të jetë kështu”.
Por Trumpi i është kundërpërgjigjur në rrjetin social, Truth Social: “Do ta shohim këtë!”
Presidenti i zgjedhur gjithashtu ka postuar një fotografi të flamurit amerikan të vendosur në zonën e Kanalit me frazën: “Mirë se erdhe në Kanalin e Shteteve të Bashkuara!”
Shtetet e Bashkuara e kanë ndërtuar Kanalin në fillim të viteve 1900, por ia kanë rikthyer kontrollin Panamasë më 31 dhjetor 1999, nën një traktat të nënshkruar në vitin 1977, nga presidenti i atëhershëm amerikan, Jimmy Carter.
Kanali varet nga rezervuarët që janë goditur nga thatësirat e vitit 2023, të cilat e kanë detyruar atë ta zvogëlojë ndjeshëm numrin e hapësirave ditore për kalimin e anijeve. Me më pak anije, administratorët kanë rritur gjithashtu tarifat, që ngarkohen transportuesit.
Shpërthimet e Grenlandës dhe Panamasë kanë ndodhur, pasi së fundmi Trumpi ka postuar se “kanadezët duan që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të” dhe duke ofruar edhe një imazh të tij të në majë të një mali, duke e vëzhguar territorin përreth pranë një flamuri kanadez.
Trudeau ka sugjeruar se Trumpi po bënte shaka për aneksimin e vendit të tij, por dyshja është takuar kohëve të fundit në klubin Mar-a-Lago të Trumpit në Florida, për t’i diskutuar kërcënimet e Trumpit për vendosjen e një tarife prej 25 për qind mbi të gjitha mallrat kanadeze.