Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur sugjerimin e tij që një numër i madh palestinezësh duhet të largohen nga Gaza për në Egjipt ose Jordani, pavarësisht kundërshtimit nga udhëheqja palestineze, OKB-ja dhe aleatët e SHBA-së në rajon.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One të hënën mbrëma, presidenti amerikan është pyetur për komentet e tij gjatë fundjavës në lidhje me "pastrimin" e Rripit të Gazës, dhe Trumpi ka përsëritur se ai “do të donte që palestinezët nga Gaza të jetonin në një zonë ku ata mund të jetojnë “pa ndërprerje, revolucion dhe kaq shumë dhunë”.
Sugjerimet të cilat duket se janë në kundërshtim me politikën ekzistuese të SHBA-së dhe ligjin ndërkombëtar, janë hedhur poshtë nga bota arabe si një goditje potencialisht fatale për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez, por u përqafuan nga krahu i djathtë i Izraelit.
Trumpi ka thënë gjithashtu se do të takohej me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, “së shpejti”, mes spekulimeve se kryeministri izraelit prej kohësh do të jetë lideri i parë i huaj që do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
“Kur shikoni Rripin e Gazës, ai ka qenë ferr për kaq shumë vite. Ka pasur qytetërime të ndryshme në atë rrip. Nuk filloi këtu. Filloi mijëra vjet më parë, dhe gjithmonë ka pasur dhunë të lidhur me të. Mund të bëhet e mundur që njerëzit të jetojnë në zona që janë shumë më të sigurta, ndoshta shumë të mira dhe ndoshta shumë më komode”, është shprehur Trump.
Trumpi ka thënë se kishte folur me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah el-Sisi dhe mbretin e Jordanisë Abdullah të dielën, teksa ka kërkuar që të dy udhëheqësit të pajtoheshin me planin.
Për palestinezët, ka pak besim në idenë e zhvendosjes së përkohshme për të lejuar rindërtimin, duke pasur parasysh një histori të zhvendosjeve të përsëritura që nga krijimi i Izraelit në vitin 1948.
Pesëmbëdhjetë muaj luftë kanë rrafshuar 70% të infrastrukturës së Gazës dhe kanë lënë popullsinë 2.3 milionëshe të territorit palestinez në thellësi të një krize humanitare.
Më shumë se 47,000 njerëz u vranë përpara hyrjes në fuqi të armëpushimit në fillim të këtij muaji dhe rreth 90% e banorëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
LEXO EDHE: