Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të vendosë këtë javë që t’i ndërmarrë hapat e parë për të eliminuar Departamentin e Arsimit, kanë raportuar burime të afërta me CNN-in, me presidentin amerikan që synon të tkurrë madhësinë e qeverisë federale.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë duke përgatitur një urdhër ekzekutiv, që udhëzon sekretaren e Departamentit të Edukimit, Linda McMahon, të fillojë me procesin e shpërbërjes së departamentit.
Trumpi ka sinjalizuar që një kohë të gjatë se ka për qëllim ta mbyllë departamentin, por eliminimi i plotë kërkon miratimin nga Kongresi.
CNN-i ka raportuar se administrata është në proces e sipër të draftimit të urdhrit ekzekutiv.
Drafti i parë i urdhrit e rekomandon McMahonin t’i “ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të lehtësuar mbylljen e Departamentit të Arsimit” duke operuar “me masa që janë të përshtatshme dhe të lejuara me ligjet në fuqi”.
Përderisa, propozimet për shpërbërjen ose shkrirjen e Departamentit të Arsimit me ndonjë agjenci tjetër nuk janë diçka e padëgjuar më parë, propozimet e këtilla kanë dështuar historikisht të marrin mbështetjen e nevojshme në Kongres.